DC United dhe trajneri Uejni Runi kanë vendosur që të ndërpresin bashkëpunimin. Ish-sulmuesi 37-vjeçar i Anglisë dhe Manchester United luajti për klubin nga Major League Soccer në vitet 2018-19 përpara se të merrte drejtimin e skuadrës amerikane në korrik 2022.
DC United nuk arriti që të kualifikohej në play-off-et MLS për të katërtin vit radhazi, edhe pse e fitoi 2-0 sfidën e fundit të sezonit kundër New York City FC, duke e përfunduar kamponatin me 40 pikë.
Pas ndeshjes, tekniku anglez u shpreh se ai kishte “bërë gjithçka” për ta kualifikuar DC United në play-off, e shtoi se tani është momenti për të vazhduar përpara.
Shefi ekzekutiv i DC United, Jason Levien tha se pas bisedës me Runin, palët ranë dakord se është më mirë që të përfundojnë kontratën. Si futbollist, Runi në 48 takime realizoi 23 gola dhe dha 15 asiste. 37-vjeçari nuk dëshiron që të humbë kohë, por do që të nisë një projekt të ri, ndërsa dëshira e tij është që të rikthehet në Angli.