Mëngjesin e kësaj të hëne kanë rinisur kërkimet për zhdukjen e 26-vjeçarit Mateo Lika në Fier. Ekipet janë kthyer në shtratin e lumit Seman dhe polumbarët po kërkojnë nëse gjejnë ndonjë gjurmë të automjetit të të riut. Niveli i ujit në lumë ka rënë këtë të hënë dhe kërkimet janë më të lehta për polumbarët. Ka dyshime se 26-vjeçari ka qenë duke udhëtuar me një makinë kur është rrëzuar nga ura në Mbrostar duke rënë në lumë.
Ekipet kërkuan edhe ditën e diel në shtratin e lumit po nuk mundën të gjenin asnjë gjurmë të Likës apo të automjetit. Ndaj policia po heton ngjarjen edhe në pista të tjera. Ka dyshime se makina mund të jetë larguar nga aty por ngjarja mbetet mister pasi familjarët nuk lidhen dot me të riun pasi telefoni i tij rezulton i fikur.