Lorena Bandilli, Administratore i Përgjithshme e Albanian University, thotë se, aplikimi i TVSH-së në arsim, është një kosto shtesë dhe e ndërmarrë në mënyrë të menjëhershme, që do të sillte ulje të të ardhurave për të gjitha institucionet arsimore.
Si do të ndikojë në të ardhurat e universitetit nisma e qeverisë për vendosjen e TVSH-së në arsim?
Aktualisht si çdo biznes tjetër në vendin tonë, edhe institucionet të cilat operojnë në fushën e arsimit janë duke u përballur me një sërë sfidash të tregut si, rritja e përgjithshme e kostove të operimit, tendenca e rritjes së pagave, ulja vit pas viti e numrit të maturantëve, të cilët përfundojnë arsimin e mesëm etj.
Aplikimi i TVSH-së në arsim është një kosto shtesë dhe i ndërmarrë në mënyrë të menjëhershme, që do të sillte ulje të të ardhurave për të gjitha institucionet arsimore, përfshirë edhe institucionin tonë.
A do të ushtrojë kjo nismë presion në rritjen e tarifave kundrejt studentëve?
Kjo do të ndikojë në ndryshimin e tarifave të studimit, pasi nëse do të vendoset të aplikohet TVSH–ja në arsim, institucionet arsimore të të gjitha niveleve do të duhet të përballen me kosto të shtuara dhe patjetër që do të kërkohen mundësitë për mbulimin e tyre.
Një nga masat e marra, do të jetë edhe rritja e tarifave të studimit, që do të prekte në mënyrë të drejtpërdrejtë financat e familjeve shqiptare, të cilat ua kanë besuar edukimin e fëmijëve, arsimit privat.
Si po ndikojnë zhvillimet demografike në vend (rënia e lindjeve dhe emigrimi i të rinjve) në numrin e studentëve në universitetet private?
Numri i nxënësve që ndjekin arsimin e mesëm vit pas viti është duke u tkurrur, që sipas statistikave të INSTAT llogaritet të jetë 7% nga viti 2022-2023, krahasuar me vitin 2021-2022.
Veprimtaria e institucioneve të arsimit të lartë në kushtet aktuale të tregut është vështirësuar, por duke u përpjekur të zbatohen politikat e duhura në ofrimin e arsimit cilësor dhe promovimit të duhur për arsimin e lartë privat, ka bërë të mundur që numri i studentëve të cilët zgjedhin institucionin tonë, të jetë i qëndrueshëm.
A mund ta shfrytëzojë Shqipëria avantazhin konkurrues të kostos së ulët për të tërhequr studentë të huaj? Cilat janë përparësitë dhe disavantazhet që kemi në këtë drejtim?
Kjo politikë është duke u zhvilluar në përputhje edhe me strategjinë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për ndërkombëtarizimin e institucioneve të arsimit të lartë dhe programeve të studimit.
Ofrimi i një sërë programesh në gjuhë të huaj bëjnë të mundur regjistrimin e studentëve të huaj, jo vetëm nga rajoni, por edhe më gjerë.
Albanian University ka hapur programin e studimit në gjuhën italiane, në fushën e stomatologjisë Odontoiatria e Protesi Dentaria, program që ka interes dhe të regjistruar studentë të huaj, por jo vetëm.
Një nga disavantazhet, por që me investimin e duhur mund të kthehet në përparësi, është rankimi ndërkombëtar i universiteteve shqiptare. Gjithsesi, nismat e ndërkombëtarizimit të IAL–ve do të sjellin një arsim më cilësor për të gjithë të studentët, vendas dhe të huaj.
Sipas jush, cila do të ishte politika më e përshtatshme fiskale që qeveria duhet të ndjekë për arsimin privat në vendin tonë?
Së pari, duhet të ketë një analizë më të thellë të politikave të ndërmarra, e sidomos në fushën e arsimit. Heqja e TVSH në arsim është bërë në vitin 2014. Cilët janë faktorët që kanë ngritur nevojën për rikthimin e saj?
Së dyti, duhet të ketë konsultime më të gjera me grupet e interesit dhe çdo vendimmarrje duhet të ketë afate të përcaktuara të hyrjes në fuqi.
Së treti, duhen parë gjithashtu praktikat më të mira nga vende të tjera dhe respektimi i direktivave të BE-së në lidhje me këtë çështje.
Edhe pse diskutimet u përkasin institucioneve private të arsimit, në fund mbetet një e mirë publike, prioritet për vendin tonë./ Monitor