Nëse blegtoria nuk do të marrë buxhetin e duhur si në rajon dhe skemat e subvencionimit të jenë të orientuara drejt prodhimit, atëherë edhe në vitin 2024, numri i krerëve do të ulet, duke sjellë për pasojë edhe rënie të sasisë së prodhuar të qumështit.
Kjo situatë ndikon industrinë e përpunimit – sqaroi Shoqata e Përpunuesve të Qumështit, në një intervistë për Monitor.
Shoqata pohon se po rritet presioni nga konkurrenca e importit, çmimet e larta të lëndës së parë dhe informaliteti në treg. Reduktimi i TVSH nga 20% në 6% si në rajon dhe rritja e subvencioneve mund të përmirësojë situatën
Ky vit sapo ka nisur, por si e parashikoni ecurinë aktivitetit edhe në kuptim të kërkesës dhe tregut?
Në vitet e fundit, ndryshimet në sektorin e përpunimit të qumështit kanë qenë të shumta.
Shumë nga këto ndryshime dhe situata kanë qenë të pamundura për t’u parashikuar, pasi faktorët ndikues kanë qenë të shumëllojshëm dhe jashtë kontrollit të operatorëve të të gjithë sektorit. Informaliteti vazhdon të shtohet çdo vit, numri i krerëve (kafshëve të mbarështuara për qumështi) ka rënë, shoqëruar kjo edhe me rënie të sasisë së qumështit të prodhuar nga fermerët shqiptarë, kurse çmimi i qumështit që blihet nga fermerët ka shkuar në vlerat më të larta.
Madje çmimi i qumështit që blihet nga fermerët në Shqipëri është shumë më i lartë se qumështi i fermerëve të rajonit dhe në Europë. (40-50% më i lartë).
Gjithashtu, produktet e importit në sektorin e qumështit dhe nënprodukteve të tij janë bërë më të pranishme dhe dominuese në tregun shqiptar, të ndikuara veçanërisht nga subvencionet e larta në vendet e origjinës, nga kostot e ulëta që kanë industritë përpunuese në rajon dhe Europë, por ndikim ka sjellë edhe rënia e kursit të këmbimit.
Prandaj, parashikimet në sektorin e qumështit janë të vështira, por qartazi mund të pohojmë se:
Nëse lufta ndaj informalitetit në sektorin e përpunimit të qumështit (qumështi i rrugës, njësitë e palicencuara dhe të padeklaruara të përpunimit, produktet e paetiketuara, tregjet e paformalizuara të bulmetrave) nuk do të jetë fokusi i vitit 2024, atëherë siguria ushqimore do të vazhdojë të jetë në rrezik dhe mbi të gjitha, informaliteti do të vijojë t’u ofrojë produkte jo të sigurta konsumatorëve.
Nëse blegtoria nuk do të marrë buxhetin e duhur si në rajon dhe skemat e subvencionimit të jenë të orientuara drejt prodhimit, atëherë edhe në 2024, numri i krerëve do të jetë në rënie, duke sjellë si pasojë, edhe ulje të sasisë së prodhuar të qumështit.
Presim rritje të presionit edhe më shumë nga produktet e importit dhe një shtim të pranisë së tyre në raftet e marketeve dhe supermarketeve tona, sepse ata kanë lëndën e parë më të lirë (qumështin e freskët), më shumë subvencione dhe politika mbështetëse ndaj fermerëve, çmim më të mirë të energjisë elektrike, gazit, naftës, etj.
Pra, përsëri një vit sfidash, ku e vetmja gjë që kërkojmë, është të na jepet mundësia të garojmë të barabartë në këtë treg. Nëse do kemi përsëri kosto të larta në çdo hallkë të përpunimit dhe do të goditemi nga konkurrenca e pandershme (informaliteti), atëherë do të jetë edhe ky një vit luftë për mbijetesë./Monitor