Rreth tre muaj pas vdekjes nga mbidoza, por në duart e policisë së Lear Kurtit, Avokati i Popullit thotë se se punonjësit e policisë kanë qenë të paqartë dhe nuk kanë marrë masa kur ky person është ndjerë keq. Kjo sipas tyre, do të bënte që ngjarja të mund të ishte shmangur.
Një detaj tjetër në konstatimet e Avokatit të Popullit është se gjatë shoqërimit të Kurtit, nuk emri i tij nuk është evidentuar në regjistrin e të shoqëruarve në ambientet e komisariatit.
“Duke mbajtur në konsideratë natyrën e çështjes, në raste të tilla shërbimet e policisë, mund ta parandalonin këtë ngjarje, në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin”, thuhet ne raportin e Avokatit te Popullit.
“Referuar ligj.nr. 108/2014 për Policinë e Shtetit, neni 122 pika 1 dhe 2 përcaktohet se: 1. Masat mbrojtëse merren ndaj personit të sëmurë mendor, në gjendje të dehur, nën efektet e lëndëve narkotike ose ndaj personit me sëmundje ngjitëse të rënda. Në këto raste, punonjësi i policisë e dërgon personin në ambientet e policisë, në institucionet shëndetësore, në qendrat e rehabilitimit ose e dorëzon te kujdestari apo personat përgjegjës. 2. Punonjësi i policisë merr masat e nevojshme për mbrojtjen e personit, gjendja e të cilit tregon qartë se nuk mund të kontrollojë veprimet dhe sjelljen e tij dhe për këtë arsye mund t’i shkaktojë dëmtime fizike ose të përbëjë rrezik për jetën e tij ose të të tjerëve”, vijon raporti.
Në raport, jepen gjashtë rekomandime për institucionet përgjegjëse.
“1. Marrjen e masave për zbatimin efektiv të garancive ligjore të qytetarëve në lidhje me ruajtjen e shëndetit dhe të mirëqenies së tyre në momentet e para të shoqërimit nga Punonjësit e Policis; 2. Marrjen e masave të nevojshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të ushtruar kontroll në mënyrë të vijueshme në të gjitha strukturat vendore të policisë lidhur me zbatimin e kritereve të shoqërimit të shtetasve dhe respektimin e të drejtave ligjore të personave të shoqëruar si dhe ushtrimit nga titullarët të kërkesave rigoroze llogarie për zbatim të procedurave në rastet e shoqërimit të personave; 3. Marrja e masave nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit që çdo shoqërim i personave në ambientet e policisë së shtetit të jetë i arsyeshëm dhe të ketë indiciet e duhura bazuar në ligjin për policin e shtetit i cili ka përcaktuar qarte rastet kur personat shoqërohen në ambientet e Policisë së Shtetit; 4. Përgjithësimin e këtij rasti në të gjitha strukturat vendore të Policisë së Shtetit, me qëllim mos përsëritjen e shkeljeve të tilla në të ardhmen nga punonjësit e policisë; 5. Marrjen e masave të nevojshme për zbatimin e detyrimeve ligjore për plotësimin e Formularit të Raportit të Shoqërimit në çdo rast shoqërimi të shtetasve sapo ata sillen në organin e Policisë; 6. Për shqyrtimin e këtij rekomandimi dhe qëndrimin që do të mbani ndaj tij, lutemi të vihemi në dijeni brenda një afati të përshtatshëm”, thuhet në raport.
Lear Kurti ndërroi jetë mbrëmjen e 19 tetorit në ambientet e komisariatit numër 3 në Tiranë. Nga autopsia mjeko-ligjore ka rezultuar se ai kishte gëlltitur një dozë kokaine.