Kryeministri Edi Rama ka dalë në një deklaratë paraprake për mediat pak para nisjes së seancës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Rama, i shoqëruar nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, vlerësoi se kjo ishte një prej seancave më të rëndësishme të dekadës së fundit të Këshillit të Sigurimit. Rama i bëri thirrje vendeve të përkrahin rendin ndërkombëtar të mbështetur në rregulla.
Kryeministri foli edhe për luftën në Ukrainë ku një thirrje ia adresoi edhe Rusisë.
“Nuk mund të ndodhte ndryshe. Një luftë e paprovokuar, e padrejtë, e pajustifikuar me zgjedhje, ka sjellë një konflikt vdekjeprurës dhe kohëgjatë në zemër të Europës. Ai nuk ka sjellë asgjë të mirë përveç vdekjes, shkatërrimit dhe mjerimit, për Ukrainën, popullit të saj, por jo vetëm të saj.
Siç jemi të gjithë të vetëdijshëm efektet e dëmshme të luftës nuk kufizohen vetëm tek Ukraina dhe Europa. Ato vazhdojnë të përçojnë tronditje në çdo cep të botës dhe kërcënojnë sërish sigurinë e ushqimit në mbarë botën. Kjo është arsyeja pse duhet të mbetemi të angazhuar dhe të përkushtuar për të sjellë në Këshillin e Sigurimit të vërtetën dhe realitetin e trishtë të këtij shkatërrimi të panevojshëm dhe tërësisht të shmangshëm për t’u përhapur. Duke bërë këtë të kundërshtojmë atë mesazh të shtrembëruar që kërkon të justifikojë pushtimin dhe aneksimin.
Të ndihmosh Ukrainën sot të vetëmbrohet duke ndalur Rusinë sot përçon mesazhin më të drejtë dhe më të mirë tek gjithkush që mendon të angazhohet në një aventurë të ngjashme nesër.Jep garanci për ata që kërkojnë paqe-bashkëpunim”, deklaroi Rama.