Me rishikimin e buxhetit të shtetit, qeveria ka përllogaritur një 7.9 miliardë lekë pritshmëritë për të ardhurat dhe me 6.7 miliardë lekë shpenzimet, ka specifikuar edhe mënyrën e financimit të projektit për ndërtimin e ‘Portit të ri tregtar – Porto Romano, Durrës’.
Investimi pritej të bëhej me fonde të huaja, do të financohet nga buxheti i shtetit me një faturë të ndarë në 3 vite (2024-2025-2026), me vlerë 39.2 miliardë lekë (afro 385 mln euro).
“Për këtë projekt, i cili në ligjin fillestar të buxhetit 2024 ishte planifikuar me financim të huaj, është kërkuar nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të financohet me burime të brendshme, përkatësisht në vlerën 9.8 miliardë lekë (me TVSH) për vitin 2024 dhe nga 14.7 miliardë lekë për secilin vit buxhetor 2025-2026”, thuhet në relacion.
Në argumentet e dhëna për këtë ndryshim të burimit të financimit, qeveria thotë se shkak është rëndësia strategjike të këtij projekti madhor i cili do të garantojnë plotësimin e kërkesave të Shqipërisë dhe vendeve të Rajonit sa i takon transportit detar.
Po ashtu vlerësohet se ky port i ri do të ndikojë në rritjen e mëtejshme ekonomike për zonën Tiranë – Durrës dhe trajtimin e ngarkesave tranzit në port.
“Porti i ri tregtar do të vendosë Shqipërinë si nyje në rrjetet infrastrukturore rajonale, duke sjellë rritje dhe përmirësime në aspektin e zhvillimit ekonomik e social të vendit”, vijon më tej relacioni. Për këto arsye qeveria ka gjykuar se financimi i projektit me fonde të buxhetit të shtetit, përshpejton procedurat për fillimin dhe avancimin e punimeve. Porti tregtar po zhvendoset në Porto Romano, për shkak se në Durrës do të ndërtohen porti turistik, ndërkohë pritet që në portin e ri do të përpunohen 2 milionë kontejnerë në vit, si dhe do të priten rreth 1 milionë pasagjerë.