Qeveria qendrore e presidentit francez Emmanuel Macron i mbijetoi dy votave të mosbesimit të hënën, të nxitura nga ligjvënësit e opozitës për të protestuar kundër përdorimit të një fuqie të posaçme kushtetuese për të detyruar projektligjin e buxhetit në Asamblenë Kombëtare pa votim.
Koalicioni i majtë Nupes dhe partia e ekstremit të djathtë Rally National kishin paraqitur dy mocione të veçanta mosbesimi.
Vetëm një pakicë ligjvënësish miratuan të dy mocionet, shumë më pak se 289 votat e nevojshme – ose gjysma e vendeve në dhomën e ulët të Parlamentit të Francës. Partia opozitare e krahut të djathtë, Republikanët, nuk e mbështeti masën.
Prandaj, projektligji për buxhetin e vitit të ardhshëm konsiderohet i miratuar pa votim dhe tani do të debatohet në Senat.
Kryeministrja franceze Elisabeth Borne arsyetoi vendimin e saj për të thirrur nenin 49.3 të Kushtetutës franceze.
“Kjo nuk është një gjë e lehtë, por në kohë të tilla të trazuara, ai vendim ishte i nevojshëm,” tha ajo. Ne duhej t’u siguronim francezëve një buxhet në përputhje me zgjedhjet e tyre demokratike dhe në përputhje me drejtimin tonë politik.
Aleanca centriste e Macron humbi shumicën e saj parlamentare në qershor, duke e bërë shumë më të vështirë për qeverinë e tij miratimin e ligjeve në mënyrën konvencionale në dhomën e ulët të parlamentit, ku përballet me ndryshime të shumta buxhetore nga opozita.
Udhëheqësja e ekstremit të djathtë Marine Le Pen tha se përdorimi i nenit 49.3 tregon “dobësinë e pushtetit dhe mbi të gjitha, paaftësinë e tij për të federuar, për të pranuar të dëgjojë dhe shkëmbejë rreth politikave publike – me pak fjalë, një paaftësi për të luajtur lojën demokratike. ”
Le Pen denoncoi “refuzimin e qeverisë për të diskutuar, për të pranuar kompromise”.
Ligjvënësja e gjelbër Cyrielle Chatelain, që përfaqëson koalicionin Nupes, kritikoi ashpër projektligjin e buxhetit se nuk shkon aq larg sa të frenojë emetimet e karbonit dhe të mbrojë mjedisin.