Fillimi i tetorit do të jetë një periudhë e rëndësishme për Milan, jo vetëm në fushë. Sfida dyshe me Chelsea në Champions dhe përballja me Juven në Serie A janë ndeshje që do të tregojnë jo pak se deri ku mund të shkojë ky ekip. Në të njëjtën kohë, në Milano do të jetë prezent edhe Garry Cardinale, rikthimi i tij vjen pas derbit kundër Inter, por këtë herë qëllimi është tjetër, jo vetëm për t’i qëndruar pranë ekipit.
“La Gazzetta dello Sport” shkruan se Cardinale ka dy çështje të rëndësishme në tavolinën e tij, e para rinovimi i kontratës me Stefano Piolin. Trajneri ka një kontratë që i skadon në fund të këtij sezoni, me opsion rinovimi edhe për një tjetër vit, por dëshira e stafit drejtues është të zgjasin më shumë këtë bashkëpunim. Nuk pritet të ketë shumë probleme pasi edhe dëshira e trajnerit është të vijojë bashkëpunimin me Milan.
Pasi të ketë mbyllur marrëveshjen me Piolin, objektivi i radhës është të blindojë disa titullarë të rëndësishëm si Leao, Bennacer dhe Kalulu. Ylli portugez është pa diskutim prioriteti kryesor, Leao ka një kontratë deri në 2024, ndërsa përfiton 1,5 milionë euro në sezon, shumë pak për lojtarin më të mirë të Serie A sezonin e shkuar. Palët mund të gjejnë një akord nëse arrijnë në 5 milionë euro, plus bonuse.