Libri autobiografik i Prince Harry-t “Spare” po trazon shumë ujëra duke shqetësuar jo pak pallatin mbretëror. Edhe pse libri nuk do të botohet deri më 10 janar, disa detaje u zbuluan pasi disa kopje dolën në shitje herët në Spanjë.
Në libër thuhet se Harry ka qarë vetëm një herë për vdekjen e nënës së tij, Dianës në vitin 1997.
“Kam qarë një herë, në varrim. Ishte shumë e çuditshme. Ndjeva një lloj faji, mendoj se edhe William e ndjeu gjithashtu, duke ecur jashtë Pallatit Kesington. Aty ishin 50 mijë buqeta me lule për nënën tonë. Po u shtrëngonim duart të tjerëve duke buzëqeshur. Duart e tyre ishin të lagura dhe po dridheshin, nuk mund të kuptonim pse ishin të lagura. Por ishin për shkak të lotëve që po fshinin”, ka thënë Princi Harry.
Në një intervistë të dhënë e cila pritet të transmetohet pas disa ditësh, Harry është shprehur se ndihej i paaftë të qante në publik teksa shkonte pas arkivolit të nënës së tij.
Ajo që ka bërë bujë në të gjitha mediat ndërkombëtare prej disa ditësh, është edhe fakti se Harry në librin e tij autobiografik pretendon se ka konsumuar drogë, është rrahur me të vëllanë dhe se gjatë shërbimit të tij në Afganistan, ka vrarë 25 talebanë.
Deri më tani Pallati Mbretëror nuk ka reaguar në lidhje me këto informacione të dhëna nga Princi Harry.