Ajo erdhi në Tiranë së bashku me partnerin, me të cilin u martua përmes mblesërisë. Por martesa e tyre mori fund shumë shpejt. Aktualisht me statusin e divorcuar, sapo ka mbushur 35-vjeç dhe përpiqet të kthehet sa më rrallë në qytetin e lindjes pasi të afërmit e paragjykojnë. Gruaja e cila është pjesë e një hetimi për ushtrim prostitucioni është si shumë të tjera, të divorcuara, të pamartuara që aktivizohen përmes telefonit për të ushtruar ‘profesionin më të vjetër “në botë. Të veshura bukur, shumë prej tyre ruajnë format fizike përmes palestrës, këto gra përtej të 20- ve kanë shënjuar një mënyrë tjetër jetese, nëpërmjet meshkujve që i paguajnë për shërbime.
“Djali që më paguan është le të themi problematik. E takova në një palestër, shkoja njëherë në javë. Ai këmbënguli t’ma paguante gjithë vitin. Realisht shkoja aty për të kapur ndokënd dhe kjo ka qenë pagesa e tij e parë ndaj meje për shërbimin që i dhashë”, shprehet në anonimitet 35-vjeçarja nga Lezha.
Në fakt djali që e paguan për shërbimet, është një burrë i martuar, i cili ka rekorde kriminale në fushën e narkotikëve dhe i përgjigjet me vlera monetare dhe dhurata të shtrenjta. Vetëm që ajo të mos frekuentojë të tjerë.
“Ky është kushti, -ndryshe do të vras,- më ka paralajmëruar”
Por 35-vjeçarja nga Lezha tanimë nuk qëndron me “djalin” nga frika, por nga “fitimet” saktëson, ajo gjatë bisedës.
“Kemi shkuar në hotele te shtrenjta, vende që në Shqipëri nuk do t’i kisha vizituar ndonjëherë. Ai bën punët e tij, ndonjëherë më mban në tavolinë, ndonjëherë jo. Në këtë mënyrë kreva ndërhyrje kirurgjikale, duke përsosur buzët dhe pjesë të fytyrës. Tani do më paguajë të rregulloj disi dhe pjesët e pasme të trupit”,- deklaron e reja.
Shumë bashkëmoshatare si ajo, prostituojnë në këtë mënyrë. Vetëm që të jenë më të bukura, të realizojnë një ndërhyrje apo të kenë një makinë.
“Në mos janë më të vogla në moshë se unë”,– këmbëngul ajo.
Nga ana tjetër, 35-vjeçarja e divorcuar emri i të cilës është në kartelat e policisë, e nisi profesionin më të lashtë e shtyrë nga kushtet e varfërisë dhe mbi të gjitha për të mbijetuar. Ajo doli nga përgjimet ndaj një 27-vjeçari A.A , i cili e dërgoi si porosi tek një shok i sapokthyer nga jashtë Shqipërisë. Policia thotë për se 35-vjeçarja komunikoi me disa persona të cilët i dërgonte 27-vjeçari. Në bisedën e fundit 27-vjeçari, i la si vend takimi një hotel pranë rrugës “Hamdi Pepa”, ku gruaja e divorcuar duhet të shkonte dhe të priste në dhomën 204. Por i dyshuari hedh poshtë përgjimet, duke justifikuar se thjesht u përpoq të prezantonte dy persona.
“Isha me shokun tim dhe konsumuam një drekë. Më mori shoqja ime dhe e lashë të takoheshim. E lashë që të vinte edhe shoku im që të njiheshin. Më pas nuk e di çfarë kanë bërë se kam ikur. Gruan në fjalë e kam shoqe, por kemi kryer edhe marrëdhënie seksuale më herët”,shton ai.
Të kundërtën pranon prostituta
“Personin që më gjetët në hotel nuk ia di emrin, kam kontaktuar në telefon. Ramë dakord të kryejmë marrëdhënie kundrejt pagesës prej 5 mijë lekë. Më ka shkruar që jam shoku i A, më tha që personin që do vijë e ka shok. Tek hoteli shkoj sepse e kam afër me shtëpinë dhe nuk është se administratorët apo pronari i hotelit kanë dijeni për veprimtarinë time”.
E reja pranon që është paguar disa herë nga shoku i saj për të kryer marrëdhënie.
“Megjithatë më së shumti i kam ofruar marrëdhënie falas dhe 27-vjeçari më ka shpërblyer për këtë punë, duke më sjellë klientë të tjerë”, mësohet sipas burimeve policore të ketë rrëfyer gruaja e divorcuar.