Ka dalë sot përpara trupit gjykues efektivi i policisë Estian Dinaj i cili shkaktoi aksidentin me pasojë humbjen e jetës së një të mituri dhe plagosjen e dy të tjerëve mbrëmjen e së shtunës në fshatin Valare në Gjirokastër.
Gjykata ka vendosur masën ‘arrest në burg pa afat’ për Dinajn i cili është paraqitur në gjendje jo të mirë psikologjike.
Ngjarja tragjike u regjistrua mbrëmjen e së shtunës, ndërsa tre fëmijët sapo kishin dalë nga shkolla dhe duke ecur anës rrugës, efektivi i Policisë që drejtonte automjetin me shpejtësi të lartë, i ka përplasur ata.
Përplasja ishte fatale për njërin prej tyre, pasi 12-vjeçari i familjes Isufi është përplasur me një shtyllë elektrike, goditje që ka qenë fatale për nxënësin e shkollës 9-vjeçare. Burime nga Policia e Gjirokastrës bënë me dije se 12-vjeçari është goditur nga pasqyra e krahut të djathtë dhe më pas fëmija është përplasur me shtyllën e tensionit. Edhe dy fëmijët e tjerë kanë pësuar lëndime, por fatmirësisht pa rrezik për jetën.
Fëmija që humbi jetën ishte djali i madh i familjes Isufi në fshatin Valare, ndërsa kanë edhe një fëmijë tjetër më të vogël rreth 8 vjeç. Në gjendje të vështirë ekonomike, babai i të ndjerit punonte si roje objekti.
Estien Dinaj kishte rreth dy vjet e gjysmë që punonte si trupë shërbimi në kufirin e gjelbër në Stacionin e Policisë Kufitare të Kakavijës në Gjirokastër. Mësohet se efektivi ka përjetuar keq ngjarjen e ndodhur, duke tentuar edhe vetëvrasjen.