Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog, Mirosllav Lajçak, do të qëndrojë më 11 maj në Prishtinë, ndërkaq një ditë më vonë do të vizitojë Beogradin.
Vizita e Lajçakut synon të përgatisë hapat e ardhshëm në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja, konfirmoi zëdhënësi i këtij institucioni, Peter Stano.
“Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së Lajçak, udhëton rregullisht në rajon dhe viziton shpesh Prishtinën dhe Beogradin, posaçërisht pas takimeve të nivelit të lartë në Bruksel, për të vazhduar përparimin në atë që është arritur apo për çfarë është pajtuar në Bruksel dhe për të përgatitur hapat e radhës”, tha Stano.
“Në këtë kontekst, mund të konfirmoj se ai do të jetë të enjten në Prishtinë dhe të premten në Beograd”, shtoi ai.
Në takimet në Prishtinë dhe Beograd, Lajçak pritet të takohet me kryenegociatorët e dy shteteve në dialog, përkatësisht me Besnik Bislimin dhe Petar Petkoviqin.
Më 2 maj, në Bruksel është mbajtur rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në këtë takim, palët kanë arritur pajtim për Deklaratën e të zhdukurve nga lufta e fundit në Kosovë, por është prezantuar edhe draft-statuti për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është hartuar nga një ekip menaxhues, i përbërë prej katër pjesëtarëve të komunitetit serb.
Ky draft-statut nuk është pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe një ditë më vonë, anëtarët e Ekipit Menaxhues janë shkarkuar nga autoritetet kosovare.
Serbia kërkon që Asociacioni të themelohet, ndërkaq Qeveria e kryeministrit Kurti është shprehur kundër një asociacioni njëetnik.
Kosova dhe Serbia më herët gjatë këtij viti kanë arritur Marrëveshjen e Ohrit, që veç tjerash parasheh zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në dialog, që kur procesi ka nisur më 2011. Në të përfshihen edhe dy marrëveshjet për Asociacionin.
Më 2013 dhe 2015, palët kishin arritur marrëveshje për Asociacionin. Por, më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit nuk ishte në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit, duke shtuar se marrëveshja mund të harmonizohet me ligjet në fuqi.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë synon normalizimin e plotë të raporteve. Kosova kërkon që procesi të përmbyllet me një marrëveshje që do të përfshinte njohjen e ndërsjellë, ndërkaq Serbia është shprehur se dëshiron një zgjidhje kompromisi – pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. REL