Forca dhe mjete të Forcave të Armatosura (FA) janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit.
Ka qenë kryeministri Edi Rama i cili ka publikuar pamjet në rrjetet.
“Trupat dhe mjetet tona të Forcave të Armatosura, për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur shumë rëndë nga përmbytjet, si pasojë e reshjeve të jashtëzakonshme”, shkruan Rama.
Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi është shprehur se janë gati të ndërhyrjnë në koordinim me autoritetet në Kosovë.
“Të gatshëm të ndërhyjmë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës. Me vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira”, shkruan Peleshi.
Situata më problematike sa i takon përmbytjeve paraqitet në fshatrat Verboc dhe Barilevë të Komunës së Prishtinës dhe në fshatrat Sekiraç, Sibofc dhe Reçicë të Podujevës. Meteorologët parashikojnë se reshjet e shiut pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vazhdim, deri më 25 janar.