Nëntë ditë përpara se kryeqytetasit t’iu drejtohen kutive të votimit, përballja mes kryebashkiakut aktual dhe kandidatit socialist për mandatin e tretë Erion Veliaj dhe kandidatit kryesor për t’i marrë çelësat e administrimit të Tiranës nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi kjo garë mbetet e pabarabartë në thelb.
Fillimisht, pabarazia mes tyre merr jetë me fushatën zgjedhore e cila dallon në imazh dhe përmbajtje.
Veliaj qysh në krye të herës, përllogarisim një fushatë të pikënisur në fund të vitit të kaluar kur përforconte edhe bazën e tij të pushtetit brenda Socialistëve nuk premtonte asgjë të re parimisht.
Pra, një referim të gjallë të lidhur vetëm me çështjet e brendshme të Partisë Demokratike duke harruar se gara vendore nuk është aspak politike por administrative, e lidhur me përditshmërinë e të jetuarit dhe jo akuzave të ndërsjella në rang ngjyrimesh dhe logosh apo vulash.
Në harkun e tetë viteve, të shumta kanë qenë premtimet e pambajtura prej tij, duke nisur nga mungesa e lejeve të ndërtimit apo transformimeve mjedisore me pyje orbitale që mirëpresin 1 milion pemë dhe jo 1 milion banorë.
Kryebashkiaku u vu në qendër të kritikave pikërisht për çështjen e ndërtimeve të larta në kryeqytet.
Në vitin 2015, Veliaj do të shprehej se në qytet nuk ka më hapësira për ndërtim gjatë dëgjesave të ndryshme me banorët e Tiranës.
“Ndarja e re administrative ofron një mundësi ideale që ndërtimet të shtrihen drejt zonave periurbane e rurale, ashtu siç ka ndodhur në shumë prej kryeqyteteve evropiane. Dhe pikërisht këtë do të bëjmë”, do të përmbyllte deklaratën Veliaj.
Kryebashkiaku e riafirmoi shkurt se nuk do të kishte ndërtime të reja në zonat me densitet të lartë.
“Do t’i orientojmë ndërtimet drejt këtyre zonave, çka do të sjellë zhvillim për to dhe njëkohësisht do të garantojë frymëmarrje për Tiranën aktuale”.
Kjo deklaratë nuk gjeti më terren pas zgjedhjeve, kur Veliaj përkrahu nevojën e kullave të larta në qytet.
“Këto sipërfaqe shkojnë në ajër, të cilën e kemi, tokë nuk kemi”, do të ravijëzonte nga e para kryebashkiaku.
Lidhur me këtë problematikë, Belind Këlliçi, i cili u përzgjodh me konsensus nga Primaret e Partisë Demokratike (me aprovimin e Partisë së Lirisë gjithashtu) si kandidati i duhur për të mposhtur kryebashkiakun e Tiranës, mendon se kjo që po ndodh nuk është zhvillim modern.
“Kjo është kuturu me pallate që ngrihen çdo ditë vend e pavend. T’i pyesësh njerëzit, thonë këtu është Kandahar. Po ne nuk jemi në luftë. Ne jemi të vjedhur jo nga pushtuesi por nga një i ri që vodhi fondet e një shoqate për të hyrë në politikë. Hyri në politikë si hajdut. Ç’mund t’i ndryshonte politikës një hajdut më shumë?”, thekson ai.
Kandidati opozitar parashtron se alternativa e tij është administrimi emergjent i kaosit urban ku ndodhet Tirana, ndalimi i menjëhershëm i betonizmit, ndërprerje e menjëhershme e fondit për “inceneratorin”, vendosja e prioriteteve bashkiake me ekspertizën e profesonistëve të fushës, ndalim i menjëhershëm i reprezaljeve të Policisë Bashkiake.
“Frymëmarrje Tiranës deri në një moment ku të përcaktojmë mençurisht rrugën e zhvillimit urban”, shton Këlliçi.
Po ashtu, premtimi i Veliajt për të sjellë ujë 24 orë në të gjitha lagjet e Tiranës ka qenë një dështim i plotë.
Kjo, pasi qytetarët po paguajnë 70 mijë lekë në muaj për këtë shërbim.
Gjithashtu vlen të sillet në vëmendje propaganda në lidhje me shkollat dhe kopshtet.
Në një kohë kur kryebashkiaku rriti taksat për infrastrukturën dhe strehimin në nivele të paparashikuara dhe përftoi 41 milionë euro, duke patur ende zona të tëra urbane pa asnjë institucion arsimor të vetëm si Astiri.
Premtimet aktuale
Vesa News është përpjekur të skematizojë përmbledhtazi përballjen e ofertave jopolitike të kandidatëve ku prevalon tema për mjedisin dhe trafikun.
Nga njëra anë kryebashkiaku aktual premton, ndërmjet akuzash politike, se do të krijojë korsi të shpejta për urbanët.
Ndër të tjera, ai parashikon rindërtimin e Teatrit Kombëtar, stadiumit “Selman Stërmasi” dhe Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”.
Dhe në rreshtat që ravijëzon përditë mund të gjesh edhe premtimin për kreditë e buta dhe ndërtimin e 19 konvikteve të reja për studentët.
Pak përpara fillimit të rrugëtimit të fushatës elektorale, kandidati për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi mbërriti në stadiumin “Air Albania” me një autobus për të manifestuar propozimin e tij kryesor për transportin publik falas në Tiranë.
Sipas tij, kjo e fundit do të ulë koston e jetesës, lehtësojë qarkullimin dhe do të pakësojë ndotjen.
Këlliçi propozon gjithashtu reduktimin e taksave dhe tarifave, që do të ndihmojnë biznesin e vogël dhe familjet.
Po ashtu, 7 milionë euro do shkojnë për prodhimet ‘Made in Tirana’.
Pjesë e angazhimit janë edhe 500 oaze të gjelbërta në Tiranë, ndërsa Lana do kthehet në një korridor të pastër dhe çlodhës.
Asnjë zonë në kryeqytet nuk do jetë pa çerdhe, kopshte dhe shkolla.
Së fundmi, Këlliçi ka propozuar edhe ndërtimin e një nënkalimi në Sheshin Skënderbej për të përgjysmuar trafikun në Tiranë.
Përtej kandidatëve
Një nga aspektet më dinamike në trafikun e të jetuarit dhe vrullit të përditshmërisë në kryeqytetin e Shqipërisë është ai i ndërtimeve të reja.
Referuar statistikave zyrtare të INSTAT-it, në vitin 2021 u miratuan 435 leje për ndërtesa të reja më shumë se viti 2020.
Gjatë tremujorit të parë u miratuan gjithsej 251 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 184 leje të miratuara në tremujorin e parë 2020.
Në tremujorin e dytë 2021 ishin 347 leje ndërtimi në raport me 209 të një viti më parë.
Ndërsa trendi vijoi i njëjtë edhe përgjatë tremujorit të tretë dhe të katërt.
Përkatësisht, 442 leje ndërtimi nga 262 dhe 356 leje ndërtimi për ndërtesa të reja, nga 306 leje të miratuara në tremujorin e katërt të vitit 2020.
“Mund të raportoj që numri total i pallateve aktualisht në ndërtim në të gjithë Tiranën është 414”, rrëfente në muajin korrik fotografi i pavarur, Aurel Duka gjatë numërimit të siteve me dronin e tij.
Publikimi i projektit “Green Lungs” vëren se në planifikimin urban aplikohet parimi që për çdo qytetar të kishte minimalisht 2.5 metër katror gjelbërim në lagjen e tij ose në të gjithë vijën e verdhë të qytetit.
“Në asnjë nga rastet ky standard nuk përmbushet, madje nuk arrihet as gjysma e saj sikur të përfshish edhe Liqenin Artificial dhe Kopshtin Botanik e Zoologjik në përllogaritje”.
Analiza e projektit të tyre zbulon se në dekadën e fundit Tirana ka humbur 58 hektarë sipërfaqe të gjelbër brenda vijës së verdhë të qytetit.
Kjo është e barabartë me 82 fusha futbolli në nivel qyteti.
E këtu rëndon plaga kryesore e jetës së qytetit si kryeqytet.
Kjo, sepse identiteti urbano-kulturor i Tiranës ka humbur prej kohësh dhe ka mbetur vetëm nostalgjia.
Një gjë është e sigurtë, të dy kandidatët me prejardhje të ndryshme politike janë të barabartë në fletën e votimit për këtë mandat që do të përcaktojë fare mirë se kush do qeverisë Shqipërinë pas Tiranës.