Pep Guardiola ka si ambicie që në të ardhmen të drejtojë një kombëtare, ndërsa ka ëndërr që të marrë pjesë në një Kupë Bote.
Kontrata me Citysens përfundon në verën e 2025-ës dhe do të ishin të shumta kombëtaret që do ta donin atë në stol.
Tekniku 53-vjeçar mund të zgjedhë që të drejtojë Spanjën, ndërsa emri i tij është përmendur edhe për të marrë drejtimin e Anglisë. Për ESPN Brazil ai tregoi dëshirën e tij të madhe.
“Një ekip kombëtar! Unë do të doja që të stërvisja një ekip kombëtar në një Kampionat Botëror apo në një Kampionat Evropian. Do të më pëlqente kjo! Nuk e di kush do të më donte! Për të punuar për një ekip kombëtar, ata duhet të të duan ty, ashtu si te një klub’, është shprehur ai.
Guardiola ka pasur një karrierë të suksesshme duke shkëlqyer në Spanjë, Gjermani dhe Angli. Kupa e Radhës e botës do të zhvillohet më 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë, një vit pasi kontrata e spanjollit të përfundojë te Citysens.
Në total, ai ka fituar 32 trofe, por asnjëherë një Kupë Bote. E pikërisht kjo është ëndrra që kërkon ta realizojë.