Që pas nënshkrimit të marrëveshjes mes qeverisë shqiptare dhe asaj britanike për frenimin e emigracionit të paligjshëm, veçanërisht kalimet me varka drejt Anglisë, janë kthyer në atdhe mbi1000 shtetas shqiptarë. Shifrat janë bërë me dije nga task forca e ngritur mes autoritetet shqiptare dhe ato britanike. Këto shifra janë për periudhën nga 13 dhjetori i vitit 2022 deri në javën e parë të prillit 2023.
Drejtori i Përgjithshëm i Zbatimit të Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar, Tony Eastaugh, u shpreh se shifrat e këtyre muajve janë tregues se marrëveshja po funksionon.
“Këto shifra janë dëshmi se partneriteti ynë me qeverinë e Shqipërisë për të përshpejtuar largimin e atyre që nuk kanë të drejtë ligjore për të qenë në MB po funksionon. Ndërsa ne e intensifikojmë më tej këtë aktivitet, shtetasit shqiptarë që hyjnë ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe nuk kanë të drejtë të jenë këtu, nuk duhet të kenë asnjë iluzion se do t’i largojmë sa më shpejt të jetë e mundur”, shtoi ai.
Në vitin 2022 pati 1 888 kthime të shqiptarëve, nga të cilët 954 prej tyre ose 51% janë kthime të detyruara dhe 934 ose 49 % kthime vullnetare; ndërsa në vitin 2023, nga janari deri në mars janë kthyer 795 shtetas shqiptarë. Prej tyre, 389 shtetas (49%) ishin kthime të detyrueshme dhe 406 shtetas (51%) janë riatdhesime vullnetare. Në njoftim theksohet se, rritja e kthimeve vullnetare është një tendencë në rritje dhe shpresëdhënëse dhe është 90% më e lartë se në vitin 2021.