Pas firmosje së marrëveshjes për ekstradime në Angli, Shqipëria ka arritur marrëveshje edhe me një shtet tjetër. Bëhet fjalë për Spanjën. Policia shqiptare njoftoi sot ekstradimin e shqiptarit të parë, i kërkuar nga autoritetet spanjolle.
23-vjeçari shqiptar është ekstraduar drejt Spanjës. Ai kërkohej nga drejtësia spanjolle për kryerjen e veprave penale në fushën e narkotikëve dhe kundër shëndetit publik.
Uniformat blu bëjnë me dije se i riu shqiptar është kapur nga policia e Fierit më 6 maj të këtij viti. Ndërkohë sot, falë bashkëpunimit me homologët spanjollë, u bë ekstradimi nga vendi ynë drejt Spanjës.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Penale 2 e Vilanova-s/Spanjë, me vendimin e datës 20.08.2021, kishte nxjerrë urdhër arresti ndaj 23-vjeçarit, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe kundër shëndetit publik, të parashikuara në Kodin Penal spanjoll.
Njoftimi i policisë:
Vijon bashkëpunimi me homologët, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ekstradohet drejt Spanjës, 23-vjeçari i kërkuar për kryerjen e veprave penale në fushën e narkotikëve dhe kundër shëndetit publik, sipas legjislacionit spanjoll. 23 vjeçari është kapur më 06.05.2022, nga Policia e Fierit, si rezultat i operacionit policor të koduar “Vilanova”. Nga Zyra Qendrore Interpol Tirana, u bë ekstradimi nga vendi ynë drejt Spanjës, i shtetasit: R. T., 23 vjeç, banues në Fier. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata Penale 2 e Vilanova-s/Spanjë, me vendimin e datës 20.08.2021, kishte nxjerrë urdhër arresti ndaj 23-vjeçarit, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve dhe kundër shëndetit publik, të parashikuara në Kodin Penal spanjoll. Shtetasi R. T., u vu në pranga në 06.05.2022, në kuadër të operacionit policor të koduar “Vilanova”, zhvilluar nga Policia e Fierit.