Pasojat e pandemisë ishin të rënda në Shqipëri, ashtu si në të gjithë botën, por vdekshmëria shtesë në vend ishte ndër më të lartat në Europë, një tregues i sistemit të dobët shëndetësor publik në vend.
Për gjithë vitin 2021, fatalitetet arritën një nivel rekord në historinë e Shqipërisë, me 30.6 mijë persona, me rritje 40% në raport me mesataren e 2016-2019.
Edhe vdekshmëria foshnjore është nga më të lartat në Europë dhe në përkeqësim gjatë viteve të fundit. Këta faktorë dhe të tjerë për cilësinë e ulët të shërbimit kanë orientuar shqiptarët drejt shërbimeve private spitalore, ndonëse shërbimi publik është falas me ligj.
Sektori i mjekësisë jopublike vijoi me rritjen e fortë dyshifrore, i ndikuar nga pandemia, që në gjysmën e parë të vitit 2021 arriti në kulmin e saj.
Mungesa e besimit te sistemi shëndetësor publik rriti xhiron e spitaleve private, por rekordin e arritën laboratorët mjekësorë, që kanë realizuar mijëra teste PCR (edhe për shkak të kushtit për udhëtime jashtë) e analiza të tjera. Shumë individë u detyruan që të vetëkuroheshin, ose t’u drejtoheshin spitaleve private.
Të dhënat e analizuara nga bilancet tregojnë se kompanitë më fitimprurëse në sektorin e shëndetësisë, si në vitin 2020, edhe në vitin 2021, ishin laboratorët mjekësorë, pas shpenzimeve të larta të qytetarëve për kryerjen e tamponëve, apo të analizave të mëpasshme për të parë ecurinë e sëmundjes.
Ndryshe nga spitalet, ky segment nuk ka shpenzime të mëdha, çfarë ka bërë që biznesi i laboratorëve të jetë ndër më fitimprurësit në 2020-2021.
“Genius Lab”, në vitin e tretë të plotë të aktivitetit, arriti fitime rekord prej gati 1.4 miliardë lekësh, duke u renditur e 14-a në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve. Në krahasim me vitin e mëparshëm, fitimet pothuajse u pesëfishuan. Norma e fitimit ishte ndër më të lartat në vend, me 65.6%, nga 50% vitin e mëparshëm.
“Intermedica Center”, laboratori më i madh privat në vend sipas të ardhurave, dyfishoi fitimet në 590 milionë lekë. Norma e kthimit mbeti e qëndrueshme, në rreth 30%.
Shoqëria “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, me aktivitet në prodhimin, shitjen dhe tregtimin e gazrave teknike, terapeutike, pa një rënie të fitimeve me 27%, në 183 milionë lekë, pas katërfishimit që shënoi në 2020-n, duke vijuar të renditet për të dytin vit radhazi në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve. Kompania furnizoi spitalet me oksigjen, por edhe klientët privatë që e morën këtë shërbim në shtëpi.
Pjesa më e madhe e depove të mëdha farmaceutike panë një përmirësim të lehtë të normave të fitimit në vitin 2021, si rrjedhojë e zgjerimit të të ardhurave me ritme më të karta sesa të fitimeve.
Në vitin 2020, operatorët kishin raportuar një përkeqësim të përfitueshmërisë, që u ndikua nga shtimi i shpenzimeve të tjera të lidhura me mbarëvajtjen ditore të aktivitetit, për shkak të pandemisë.
Për pjesën më të madhe të tregtuesve me shumicë të farmaceutikës, normat e fitimit u luhatën nga 5% në 7%.
Spitalet e mëdha rrisin humbjet, ato të vogla dalin për herë të parë me fitim
Gati një dekadë nga lulëzimi i biznesit të spitaleve private, të gjitha vazhdojnë të raportojnë humbje të larta.
Pasi në 2019-2020, humbjet u reduktuan në nivele minimale, duke iu afruar pikës së kthesës, shpenzimet shtesë nga pandemia sollën përkeqësim të rezultatit financiar për spitalin më të madh në vend, pavarësisht rritjes së ndjeshme të të ardhurave, të ndikuara nga shtrimet gjatë pandemisë.
“Spitali Amerikan” (American Hospital), më i madhi në vend, në vitin 2021 qarkulloi 7.5 miliardë lekë, me rritje 21% me bazë vjetore.
Ndonëse të ardhurat u rritën ndjeshëm, spitali thelloi humbjet në 143 milionë lekë (nga -24 milionë lekë vitin e mëparshëm). Shtimi i shpenzimeve për “Lënda e parë dhe materiale të konsumueshme” dhe rritja e pagesave për personelin janë dy faktorët që ndikuan në shtimin e humbjeve, sipas specifikimeve në zërat e bilancit.
“Viti 2021 ka vazhduar të jetë tepër i vështirë, ashtu sikurse 2020-a, për grupin e Spitaleve Amerikane, për shkak të pandemisë.
Vazhdimi i konsolidimit të zgjerimit të ndërmarrë, si dhe objektivi për rritjen e mëtejshme, u bë edhe më i vështirë, për shkak të rënies së mundësisë së pagesave të familjeve dhe fokusin e shpenzimeve të tyre për trajtimin e infektimit nga COVID-19. Rritja e çmimeve dhe shpenzimet e rritura në medikamente ndikuan ndjeshëm në mirëqenien e tyre”.
“International Hospital” (ish-Hygeia), po pjesë e grupit të Spitalit Amerikan, raportoi 3.2 miliardë lekë, me rritje vjetore 18%, ndërsa vijoi të ishte me humbje, që u reduktuan në -30 milionë lekë, nga -52 milionë lekë vitin e mëparshëm.
“Një vit pas shpërthimit të pandemisë, biznesi i ‘International Hospital’ është rikuperuar dhe normalisht po gjeneron të ardhura dhe rezultate pozitive”, thuhet në raportin vjetor.
“Salus”, spitali i tretë më i madh në vend, raportoi 767 milionë lekë të ardhura, me rritje 7%. Për herë të parë që pas fillimit të aktivitetit, ky spital raportoi fitime, që arritën në 73 milionë lekë, pas humbjeve me rreth 30 milionë lekë vitin e mëparshëm. (Monitor)