Organizata shqiptaro-amerikane i ka dërguar një letër Presidentit Joe Biden, ku i shpreh shqetësimin për veprimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe kërkuan që SHBA dhe BE-ja të marrë masa kundër presidentit të saj, Aleksandar Vuçiç.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar nga kërcënimi i vazhdueshëm që paraqet Serbia dhe presidenti i saj Aleksandar Vuçiç ndaj Kosovës dhe popullit të saj”, thuhet në letrën e nënshkruar nga rreth 90 shoqata dhe grupe shqiptaro-amerikane, të një spektri të gjerë.
Ata i kërkojnë presidentit Biden një takim për të diskutuar për gjendjen e krijuar kryesisht nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë në pjesën veriore të Kosovës, si edhe grumbullimin e madh ushtarak nga Serbia në kufirin me Kosovën.
“Serbia nuk mund të mbetet anëtare e komunitetit perëndimor duke mbajtur njëkohësisht lidhje të ngushta me Rusinë”, thuhet në letër.
Ky komunitet është i shqetësuar për rolin e rrezikshme qe Serbia ka ndërmarrë në rajon.
“Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk mund ta trajtojnë më Serbinë si një partner te besueshëm ndërkohë që ajo furnizon dhe tani strehon terroristë të armatosur rëndë”, thuhet në letër.