Në një konferencë për mediat kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, u pyet nëse do të ketë protesta nga ana e opozitës.
Meta theksoi se pa asnjë diskutim që opozita do të bëjë protesta, por shtoi se edhe qytetarët duhet të reagojnë dhe të bëjnë gjithçka që të jetojnë me dinjitet.
“Opozita do të bëjë gjithçka që duhet, por dhe shoqëria duhet të bëjë gjithçka në mënyrë që të gjithë të jetojnë me dinjitet. Opozita ka bërë protesta. Pa asnjë diskutim që do të bëjë protesta dhe është shumë e rëndësishme që të kuptojmë që shoqëria duhet të reagojë dhe të gjithë duhet të bëjnë zgjedhjen e tyre që të jetojnë si qytetar i lirë, të paintimidueshëm, as nga shefat e administratës ku punojnë. Ky është një proces i përbashkët dhe besoj do të kemi kohë të gjithë për të reflektuar për këtë proces”, tha ai.
I ndalur tek situata në veri të Kosovës, Meta tha se i duhet kërkuar Beogradit të nënshkruajë marrëveshjen e Brukselit dhe të Ohrit dhe që të heqë dorë nga strategjia e tensionimit të situatës në veri të Kosovës.
“Ky është një konflikt midis dy modeleve, atij të kapjes së shtetit dhe atij të demokracisë dhe llogaridhënies që kemi sot në Kosovës. Është shumë e rëndësishme që t’i qëndrojmë parimeve dhe ne këtu nuk duhet t’i vendosim më shkopinj në rrota qeverisë së Kosovës. Kemi raste pa fund kur është bërë e kundërta duke e vendosur Kosovën në një pozicion që ajo s’e meriton aspak kur dihet shumë mirë se kush është orkestruesi i largimit të serbëve institucionet…”, – tha ndër të tjera Meta.