Rastet e kolerës janë rritur ndjeshëm këtë vit dhe sëmundja mund të bëjë një “kthim të papritur” pasi luftërat, varfëria dhe ndryshimet klimatike krijojnë kushte të favorshme për të, thotë Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, u bëri thirrje vendeve të marrin masa që mund të frenojnë sëmundjen vdekjeprurëse, raporton Forbes.
Sipas tij, që nga fillimi i vitit, 27 vende kanë raportuar raste të kolerës, përfshirë Sirinë, ku në gjashtë javë janë regjistruar 10 mijë raste të sëmundjes.
Ghebreyesus vuri në dukje se shpërthimet e sëmundjeve po bëhen më vdekjeprurëse dhe më të shpeshta. Të dhënat e disponueshme tregojnë se shkalla e vdekjeve këtë vit është pothuajse tre herë më e lartë se mesatarja e pesë viteve të fundit.
Kolera shkaktohet nga ngrënia e ushqimit ose ujit të kontaminuar me baktere, e cila shpesh transmetohet përmes fecesit të një personi të infektuar. Sëmundja përhapet me shpejtësi në zonat me kanalizime të dobëta ose trajtim joadekuat të ujërave të zeza.
Nëse nuk trajtohet, sëmundja mund të vrasë brenda disa orësh. Megjithatë, shumica e simptomave të sëmundjes nuk shfaqen fare ose shfaqen në një formë të lehtë. Simptomat serioze shfaqen në një në 10 pacientë dhe përfshijnë diarre me ujë, të vjella dhe spazma muskulore.
Kolera parandalohet lehtësisht me vaksinim dhe trajtohet me solucion rihidratues oral (ose lëngje IV dhe antibiotikë në raste shumë të rënda). Por realiteti, thotë Gerbreyesus, është se “shumë nuk kanë akses në këto mjete të thjeshta”.