Përmes një postimi në rrjete sociale disa ditë më parë, Luiza Gega pretendoi se nuk ka marrë shpërblimet për vitin 2023.
Për këtë arsye, ka reaguar edhe Ministria e Sporteve duke thënë se Gega ka marrë 13 shpërblime në bazë të rezultateve të arritura.
Ja reagimi i plotë:
Mbështetja e sportistëve elitarë është në qendër të politikave të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve. MAS i ka mbështetur dhe mbështet në vazhdimësi sportistët elitarë dhe trajnerët e tyre përmes mbështetjes për federatat dhe përmes shpërblimeve direkte për rezultatet që kanë arritur në gara në arenën ndërkombëtare.
Shpërblimet e dhëna bazohen në parashikimet e nenit 27 të Ligjit 79/2017 “Për sportin” i ndryshuar dhe akteve nënligjore që rrjedhin prej tij. Vetëm për vitin 2023 shpërblimet e sportistëve elitarë kanë rezultuar rreth 55 milionë lekë për 23 sportistë elitarë dhe trajnerët respektive për arritjet në sportet që përfaqësojnë.
Atletja jonë Luiza Gega është mbështetur gjatë dy viteve të fundit me 13 shpërblime për 10 gara ndërkombëtare, bazuar në arritjet e saj, që nga niveli Botëror deri tek ai Ballkanik, pesë prej të cilave janë shpërblime për arritjet e vitit 2023. Do të vijojmë edhe gjatë këtij viti, duke qenë dhe një vit olimpik, mbështetjen për sportistët tanë elitarë.