Dy rezultate surprizë kanë vijuar trendin e një Botërori të paparashikueshëm Katar 2022.
Ndeshja mes Belgjikës dhe Marokut befasisht, përfundoi me fitoren e këtyre të fundit me rezultat 0:2.
Dueli ishte kryesisht i baraspeshuar, ku të dyja skuadrat kishin mundësi të shumta për të shënuar.
Në fund të pjesës së parë, në minutën e dytë të shtesës, Maroku shënuan me anë të lojtarit të Chelsea-t, Hakim Ziyech.
Por, pas vetëm dy minutave, VAR-i tha se goli nuk pranohet për shkak të pozicionit jashtë loje.
Pjesa e dytë e ndeshjes ishte më dinamike, ku u krijuan më shumë mundësi.
Pas disa zëvendësimeve, Maroku gjeti golin.
Në minutën e 73-të, Abdelhamid Sabiri shënoi golin e parë të kësaj ndeshjeje.
Pak para përfundimit të ndeshjes, Zakaria Aboukhlal dyfishoi epërsinë për Marokun, për t’i siguruar fitoren kombëtares së tij.
Ndeshja e xhiros së dytë në Grupin E mes Japonisë dhe Kosta Rikës përfundoi me fitoren e këtyre të fundit me rezultat 0:1.
Pjesa e parë ishte e baraspeshuar, ku të dy skuadrat nuk krijuan mundësi të rrezikshme.
Në pjesën e dytë, Japonia u fut në lojë e motivuar për të fituar.
Dominuan në 45 minutat e mbetura të ndeshjes, por nuk i shfrytëzuan mundësitë që kishin, ndryshe nga Kosta Rika.
Në minutën e 81-të, Keysher Fuller Spence shënoi për t’i dhënë Kosta Rikës fitoren e parë në këtë Botëror.