Ka nisur aplikimi online për 2 mijë abonentët e parë familjarë që duan të pajisen me panele diellore për ngrohjen e ujit, ku 70% e kostos do të subvencionohet nga qeveria. E gjithë procedura kryhet tek faqja e Agjencisë së Eficencës së Energjisë dhe brenda 2 ditëve aplikuesi merr përgjigjen.
Qytetarët duhet të aplikojnë online tek faqja e Agjencisë së Eficencës së Energjisë me dokumentacionin përkatës dhe konsumatori familjar duhet të plotësojë një formular vetëdeklarimi.
Portali bën renditjen e dy mijë aplikimeve të para që pajisen me numrin përkatës në mënyrë automatike, për të gjithë ata që plotësojnë kriteret. Brenda 2 ditëve, Agjencia e Eficencës së Energjisë miraton ose refuzon aplikimin dhe njofton aplikuesin në mënyrë elektronike.
Në kriteret e përcaktuara nga Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës dhe Agjencia e Eficencës së Energjisë thuhet ndër të tjera se abonenti i cili aplikon për panel diellor nuk duhet të jetë debitor në OSHEE.
Gjithashtu nuk përfitojnë nga ky aplikim konsumatorët familjarë banesa e të cilëve është e pa legalizuar apo në proces legalizimi. Në fazën e parë do të përfitojnë vetëm 2 mijë konsumatorë familjarë.