Kryeministri Edi Rama ka vendosur që të japë me koncension edhe dhënien e nënshtetësisë shqiptare. Vendimi i Këshillit të Ministrave mban datën 29 korrik dhe hyn në fuqi menjëherë pas publikimit në Fletoren Zyrtare. Propozimi për këtë vendim të paprecedente është bërë nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, dhe është miratuar nga Kryeministri Edi Rama.
Në pikën numër 1 thuhet shprehimisht që qeveria vendosi “zbatimin e procedurave të koncesionit/partneritet publik privat në sektorin e programeve të shtetësisë”. Për zbatimin e këtij vendimi është ngarkuar Ministria e Brendshme. Deri më tani, dhënia e shtetësisë shqiptare, ishte një proces i gjatë, ku përfshihen disa institucione, madje edhe ato të sigurisë, ndërsa gjithçka merrte formë me një dekret që mbante firmën e Presidentit të Republikës.
Procesi përfshin një seri hallkash, siç shihet në dokumentin e emërtuar “aplikim për shtetësinë shqiptare” të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe veç të tjerash parashikonte verifikim rigoroz të këtyre aplikimeve nga strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe institucioni i Presidencës.
Por, vendimi i firmosur nga Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar procesin e ndjekur deri tani dhe ky shërbim tashmë kalon me koncesion. Në vendimin e 29 korrikut nuk jepen detaje se si mund të aplikohet, apo se si do të veprohet me këtë proces mjaft delikat.
Me rregullat e vjetra, shteti shqiptar për çdo aplikim arkëtonte vetëm 30 euro dhe nuk dihet se sa mund të përfitojë koncesionari nga ky proces. Edi Rama kohë më parë ka hedhur idenë e përfitimit të shtetësisë shqiptare, kundrejt investimit që mund të bënte në Shqipëri personi i interesuar.
Kjo solli reagime në atë kohë edhe nga organizma ndërkombëtare, çka duket se detyroi kryeministrin të tërhiqej. Por, siç duket ishte një tërheqje e përkohshme, përderisa ai tashme ka vendosur të japë me koncesion procedurën e dhënies së shtetësisë.
Kalimi i procesit të dhënies së shtetësisë shqiptare në duart e ndonjë kompanie private ngre pikëpyetje të forta edhe për aspekte që lidhen me sigurinë kombëtare, pasi dhënia me koncesion e këtij shërbimi do çojë në anashkalim të filtrave të domosdoshëm shtetërore për verifikimin e personave të huaj që aplikojnë për shtetësi shqiptare.