Numri i viktimave nga tërmeti shkatërrues në Turqi dhe Siri nuk po ndalet, por gjatë këtij bilanci tragjik ndodhin dhe mrekulli në gjetjen e personave nën rrënoja.
I tillë ishte rasti i mjekut turk Taner Akdamar, i cili punon në Shqipëri.
Ai ishte pjesë e ekipit të dërguar nga vendi ynë në ndihmë të Turqisë.
Mjeku ka shpëtuar një të ri në qytetin e Malatya’s, pas 100 orësh që qëndronte nën rrënoja.
“Zona ime është ajo ku ka rënë tërmeti, dhe prindërit e mi, vëllezërit, të gjithë aty jetojnë. Pas 5 orësh kam marrë informacione. Një vëlla i imi me gjithë familjen kanë qenë nën rrënoja dhe janë nxjerrë pas katër orësh”, tha mjeku.
Ndërkohë, numri i të vdekurve pas tërmeteve që goditën Turqinë dhe Sirinë këtë javë është rritur në të paktën 22 mijë e 772, sipas autoriteteve.
Vetëm në Turqi, numri i viktimave është rritur në të paktën 19 mijë e 388 me 77 mijë e 711 të tjerë të raportuar të lënduar, sipas presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.