Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë ka denoncuar ditën e sotme se mjekë dhe infermierë në disa spitale të Shqipërisë nuk kanë marrë pagën e tyre të dhjetorit. Në një reagim të tyre thuhet se paga duhet t’u kishte kaluar maksimumi brenda 10 ditëve të para të muajit, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ajo që është më absurde sipas tyre është fakti se kur i drejtohen institucionit nuk marrin asnjë arsye mbrapsht se përse ka ardhur kjo vonesë.
“Ndërsa jemi kontaktuar sot në mëngjes nga mjek dhe infermier të spitaleve të ndryshme shtetërore si QSUT, Mbretëresha Geraldinë dhe nga personel i qyteteve të tjera ë vend që ende nuk kanë marrë pagën e muajit Dhjetor dhe nuk janë thënë arsyet pse paga ende nuk ka kaluar.
Edhe pse disa prej tyre janë drejtuar në institucionet ku punojnë dhe në bankën ku marrin pagën nga askush nuk kanë marrë përgjigje për këtë shqetësim.
Përfaqësuesit e Shoqatës së Infermierëve të Shëndetësisë ndërsa kanë kontaktuar me institucionet përkatëse kanë mare konfirmimin që brenda ditës së nesërme (date 20) i gjithë personeli do të marrë pagën e muajit Dhjetor (por që nuk u dhanë asnjë arsye për një vonese kaq të gjatë) kur në kontratë punonjësi e kanë që brenda javës të pare të çdo muaj (disa brenda datës 10) duhet të kenë marrë pagën”, thuhet në njoftim.
Ato shprehen se mjekët kanë frikë të ngrenë zërin pasi do të pushohen nga puna.
“Sërish problemi mbetet vetë personeli që dhe kur abuzohet dhe u shkelen të drejtat kanë frikë të ngrenë zërin për veten e tyre dhe asnjë Sindikate nuk është në krah të tyre për t’i mbrojtur.
Shoqata e Infermierëve të Shqipërisë do vazhdojë të jetë zëri i personelit Shëndetësore në Shqipëri dhe do jetë krah tyre në çdo situatë”, përfundon njoftimi.
Pritet një reagim nga Ministria e Shëndetësisë.