Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 76 vota pro dhe 41 kundër projektbuxhetin për vitin 2023.
Më herët, seanca 12-orëshe u shoqërua me debate dhe përplasje për shkak të kalimit me procedurë të përshpejtuar të projektligjit për portin e ri të Durrësit.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u ndal te disa pika thelbësore në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Sipas tij, në qendër të saj do të jetë mbrojtja e familjeve dhe biznesit të vogël nga kriza për shkak të inflacionit të luftës.
“Mbrojtja e familjeve nga çmimi i energjisë është thelbi dhe ashtu siç është mbrojtja e biznesit të vogël”, u shpreh fillimisht Rama për buxhetin e vitit 2023.
Kreu i qeverisë shtoi se do të rritet edhe njëherë niveli i pagës minimale, nga 36 mijë lekë në 38 mijë lekë të reja.
“Nga kjo rritje”, theksoi Rama, “janë 21 milionë dollarë që përfitohen drejtëpërdrejtë nga ata që paguhen me pagën minimale”.
Ai kujtoi se për 100 mijë familje janë 3 mijë e 500 lekë që shtohen çdo muaj falë rritjes së këtij viti.
Rama garantoi se do të vazhdojë edhe rritja e pagave 6 për qind për punonjësit e arsimit, shëndetësisë dhe zjarrfikësit.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu një rritje tjetër të pagës për ushtarakët.
Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë, sqaroi se me buxhetin e vitit 2023 parashikohet një ngadalësim i rritjes ekonomike dhe ulje e normës së inflacionit.
Cili është fokusi i projektbuxhetit 2023?
Në projektbuxhet rritja ekonomike parashikohet 3.7% për vitin 2022 ndërsa për vitin 2023 parashikohet që të ngadalësohet në 2.6%.
Nga ana tjetër të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 625.7 miliardë lekë.
Aktiviteti i basteve është një pikë e projektbuxhetit të ardhshëm, ku është parashikuar që funksionimi i tyre të nisë prej datës 1 janar.
Vendimi vjen pasi kryeministri i vendit, Edi Rama, vendosi të zhvillojë disa takime me grupet e interesit dhe tha se do t’i marrë në konsideratë qëndrimet e tyre.
Sipas Ramës, ligjërimi i basteve që vazhdojnë në të zezë do të sillte të ardhura në buxhet.
Data 31 dhjetor 2018 ishte datat e fundit për mbylljen e të gjithave “lojërave të fatit” në Republikën e Shqipërisë.
Taksa për prodhuesit e energjisë elektrike
Një risi e këtij buxheti do të jetë edhe prezantimi i taksës për prodhuesit e energjisë elektrike.
Edhe pse FMN-ja ka kritikuar herë pas here përjashtimet nga tatimi mbi vlerën e shtuar, Qeveria vendosi të prezantojë masën për të gjitha makineritë dhe pajisjet e tjera të importuara për të investuar në energjinë diellore dhe energjinë e erës.