Ministri Federal gjerman i Financave, Christian Lindner thotë se është i hapur për rritjen e buxhetit të mbrojtjes së vendit, por flet për vështirësitë që lidhen me ndryshimin e shpenzimeve në mungesë të masave shtrënguese.
Lindner tha për këtë në një intervistë për gazetën Welt am Sonntag.
“Është e nevojshme që buxheti i mbrojtjes të rritet në vitet e ardhshme. Sidomos nëse dalja e fondeve nga programi special për Bundeswehr-in nuk mund të kontribuojë më në arritjen e objektivit prej dy përqind”, tha ai.
Ministri gjerman i financave, megjithatë, refuzoi të flasë për numrat specifikë të një mbështetjeje të tillë, në vend të kësaj duke theksuar vështirësitë në planifikimin e buxhetit.
“Situata me të cilën përballemi tani gjatë planifikimit të buxhetit 2024 nuk mund të krahasohet me asnjë diskutim buxhetor në dhjetë vitet e fundit. Për më shumë se një dekadë, ne jemi ndihmuar nga normat e ulëta të interesit dhe rritja e të ardhurave të qeverisë. Realiteti tani është ndryshe. Për herë të parë në dhjetë vitet e fundit ne duhet të konsolidojmë”, theksoi Lindner.
Ministria e financave e Gjermanisë do t’i paraqiste qeverisë këtë javë shifrat kyçe për buxhetin e vitit 2024 dhe planifikimin financiar afatmesëm për vitin 2027, por kërkoi një shtyrje deri të mërkurën, më 15 mars, për shkak të vështirësive për të rënë dakord për qëndrimet e tre partive të koalicionit.