Një megaoperacion ndërkombëtar anti-drogë është zhvilluar nga policia shqiptare nën drejtimin e SPAK, në bashkëpunim me Guardia di Finanza italiane. Mësohet se gjatë operacionit është goditur një grup kriminal me bazë në Fushë-Kuqe, të Kurbinit.
Gjatë operacionit janë shoqëruar 10 persona nga të cilët 6 prej tyre janë arrestuar. Nga 6 të arrestuarit, 4 janë shqiptarë dhe 2 shtetas ukrainas. Mes të arrestuarve është edhe Arlind Ismailuka, ish-shef policie.
Bëhet e ditur se gjatë operacionit u bllokuan 4 gomone dhe një velierë është djegur nga grupi i trafikantëve. Në velierë dyshohet se ishte fshehur lënda narkotike. Gomonet mësohet se janë nisur rreth orës 19:00 të pasdites së të martës nga Patoku. Ndërsa veliera, me flamur ukrainas është nisur nga Mali i Zi. Droga do shkëmbehej në Adriatik, 18 milje nga laguna Patokut.
Në hetim mësohet se është edhe një zyrtar i lartë i policisë. Forcat RENEA kanë zbarkuar në disa banesa në Laç për kontrolle. Gjatë operacionit janë sekuestruar sasi droge dhe një shumë parash.