Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimi prej 30 ditësh për secilën nga tri infermieret e akuzuara se në bashkëveprim kanë kryer veprën penale sulm fizik ndaj të moshuarës në Shtëpinë e të Moshuarve “Orenda” në Pejë.
Në njoftim thuhet se Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurave A.P, A.R dhe R.K, për shkak të ekzistimit të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kishin për të kryer veprën penale sulmi nga neni 184 par.3 nën par.3.1 lidhur me nenin 31 të KPRKsë.
“Të pandehurave iu është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh pasi që gjyqtari i procedurës paraprake, në vlerësim të kërkesës së Prokurorisë Themelore në Pejë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të pandehurave konstatoi se ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtat e kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë ngase ky dyshim mbështetet në provat që janë dorëzuar nga prokuroria dhe se me gjetjen e mundshme të pandehurave në liri ekziston rreziku i ndikimit në dëshmitarë të cilët janë pjesë e stafit të shtëpisë së kujdesit shëndetësor ku ka ndodhur vepra penale e të cilët nuk janë identifikuar dhe deklaruar ende, si dhe ndikimit në deklaratën e të dëmtuarës pasi që e njëjta është në gjendje të rënduar shëndetësore dhe nuk është deklaruar ende”, thuhet në komunikatën e gjykatës.