6 policët që u akuzuan për dëshmi të rreme dhe shpërdorim detyre në vrasjen e Pjerin Xhuvanit mbeten të pezulluar. Bëhet fjalë për 6 efektivë të Shqiponjave të cilët më herët ishin pezulluar me vendim të gjykatës së Korçës. Më konkretisht Dedjon Duraku, Pëllumb Bicaku, Erjon Balla, Erjon Meçja, Donald Dedja dhe Besmir Kadiu të cilët kanë qenë në vendin e ngjarjes.
Sot ka qenë gjykata e Elbasanit që ka rikonfirmuar vendimin. Ndërkohë mbesin në arrest shtëpie Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, 2 ish- zv.drejtor i Policisë së Elbasanit, edhe ato kanë dhënë dëshmi të rremë lidhur me vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan.
Rezulton se të dy policët kanë shpërdoruar detyrën, sepse nuk kanë marrë masa për të parandaluar vrasjen, si dhe kanë dhënë deklarime të rreme, duke dhënë fakte të ndryshme mbi ngjarjen. Roli i Albert Nushi dhe Nikollaq Palla në vrasjen e Pjerin Xhuvanit. Albert Nushi dhe Nikollaq Palla kanë qenë të parët që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, atëherë kur kishte nisur konflikti verbal.
Vrasja e Pjerin Xhuvanit ndodhi më 21 prill pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku Xhuvani u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demokratike në këtë qytet, Gazmend Bardhi. Të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.