Partia Socialiste do të mbledhë sot Kongresin e jashtëzakonshëm. Në forumin më të madh të Partisë socialiste pritet që fillimisht të diskutohet rreth ecurisë së deritanishme të qeverisë dhe për strategjinë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Një nga pikat kryesore është edhe zgjedhja e organeve drejtuese të partisë. Punimet e Kongresit fillojnë rreth orës 11.45 dhe ai është konceptuar të jetë me 6 panele me tematika të ndryshme.
Fillimisht do të flasin disa nga ministrat të cilët do të bëjnë një përmbledhje të arritjeve në çështje të rendit, sigurisë, energjisë apo shëndetësisë dhe do të prezantojnë synimet deri në përfundim të mandatit të tretë qeverisës.
Kryeministri Rama do të flasë i fundit rreth orës 16.40. Fjala e tij pritet me shumë interes pasi mund të lajmërojë edhe ndryshime në kabinetin qeveritar.