Djali i një ish-politikani të njohur shqiptar akuzohet se ka bashkëpunuar me punonjësin e një kazinoje në Tiranë, duke përfituar shuma të mëdha parash në lojën e ruletës. Bëhet fjalë për Artan Lakrorin, djalin e Maqo Lakrorit, ish-deputet dhe ish- kandidati për kreun e PS-së në 2009, sipas gazetarit Arsen Rusta.
Ai dyshohet se ka bashkëpunuar me kupierin e identifikuar si Ergi Bakiu për kryerjen e një skeme mashtrimi gjatë lojës në ruletën e një prej kazinove të mëdha të Tiranës. Denoncimi është bërë fillimisht në polici nga juristi Regency Casino, por në pamundësi për ta ndarë nëse ishte çështje fati apo mashtrim, çështja i ka kaluar tashmë policisë.
Sipas denoncimit, Artan Lakrori ka bashkëpunuar me kupierin. Ky i fundit dyshohet se ka manipuluar hedhjen e zarit në ruletë, duke e shtyrë në mënyrë që të rrotullohej dy herë dhe jo tre herë minimalisht siç e kërkon rregulli i kazinos.
Kjo i ka dhënë hapësirë Lakrorit që për një kohë brenda dy sekondash të vendosë paratë mbi numrin fitues, që më pas është konfirmuar nga kupieri përmes sistemit të kompjuterit të kazinos. E gjithë skema është kapur nga kamerat e kazinos, si dhe bisedat në celular mes tij dhe kupierit të kazinos janë tashmë në duart e hetuesve.
Shuma që dyshohet se është fituar përmes kësaj skeme mashtrimi, i kalon 1 milionë lekë të reja.
“Në datën 21/07/2022, në orën 07:21’:31”, në ruletën 5, krupieri Ergi Bakiu i cili ishte krupier në tavolinën e sipërpërmendur u pa të hidhte topin, i cili kryen vetëm 2 rrotullime (bie ne numrin 9) nga minimumi 3 rrotullime që është rregullorja e brendshme e kazinosë dhe në të kundërt loja nuk duhet të quhet e saktë, por krupieri u pa të konfirmonte numrin 9 në ekranin elektronik që shërben për të lidhur terminalet elektronike të ruletës me numrin përkatës. Si rrjedhojë e mos bërjes se minimumit 3 rrotullimeve të topit, sistemi elektronik, i cili nga momenti i hedhjes së topit të lejon dhe rreth 6 sekonda për të vendosur bastet, bërja e vetëm dy rrotullimeve të lejon vendosjen e basteve dhe për 2 sekonda të tjera ndërkohë që numri ka rënë. Si rrjedhojë, u pa që klienti Artan Lakrori me numër rregjistrimi #***, i cili po luante ne terminalin elektronik të lidhur me ruletën 5, pasi pa që ra numri fitues 9, filloi të vendoste me shpejtësi baste në numrin 9 dhe si rrjedhojë në baze të pamjeve fiton rreth 162,000 Lekë”, thuhet në një pjesë të dosjes.
Vetë punonjësi i Regency Casino i ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se s’ka ndihmuar asnjë klient.
“Punoj prej 8 muajsh te Regency Casino dhe detyra e ime është shpërndarës (dealer) i letrave dhe i zareve të lojrave të ndryshme që zhvillohen në kazino. Nuk kam ndihmuar asnjë klient që të fitojë para, pasi nuk kam asnjë mundësi se si ta bëjë këtë ndërhyrje. Makineria është elektronike, e programuar më parë, nga ku loja ndiqet sipas programimit dhe jo sipas krupierit. Gjithashtu, veprimtaria e krupierti, mointorohet dhe ndiqet nga një inspektor i cili urdhëron krupierin për cdo veprim të lojës dhe spinën. Kam rreth një muaj që e njoh. E kam njohur në ambientet e kazinos, duke qenë se Artani është klient i rregullt, por jashtë nuk e kam takuar ndonjëherë”, ka thënë ai.