Ky mars qe sapo kaloi është më i ngrohti i regjistruar ndonjëherë. Ai është muaji i dhjetë me radhë qe temperaturat shënojnë vetëm nivele rekordi ne krahasim me vitet e shkuara.
Ndryshimet klimatike mund të na dërgojnë në një territor të paeksploruar nëse temperaturat nuk bien deri në fund të vitit, kanë bërë të ditur ekspertët. Kjo ka nxitur shqetësime se bota mund të jetë duke u kthyer në një fazë të re të ndryshimit edhe më të shpejtë të klimës. Një sistem moti i quajtur El Nino qëndron pas.
Nga prilli 2023 deri në mars 2024, temperatura mesatare globale ishte 1.6 gradë Celsius mbi mesataren në periudhën para-industriale 1850-1900.
“Është trendi afatgjatë me rekorde të jashtëzakonshme që na shqetëson shumë. Duke parë rekorde të tilla muaj pas muaji na tregon vërtet se klima jonë po ndryshon, me shpejtësi”, bën me dije një nga ekspertët e Bashkimit Europian për klimën.
Thatësira e nxitur nga ndryshimet klimatike në rajonin e pyjeve tropikale të Amazonës shkaktoi një numër rekord zjarresh në Venezuelë nga janari deri në mars, ndërsa thatësira në Afrikën Jugore ka shkatërruar tërësisht të korrat dhe ka lënë miliona njerëz të përballen me urinë.
El Nino arriti kulmin në dhjetor-janar dhe tani po dobësohet, gjë që mund të ndihmojë në thyerjen e temperaturave edhe pse ekspertët janë skeptikë pasi sipas tyre emetimet e gazrave serrë të shkaktuara nga njeriu mund të nxisin të tjera rekorde. Dështimi për të reduktuar këto emetime do të vazhdojë të nxisë ngrohjen e planetit, duke rezultuar në thatësira më intensive, zjarre, nxehtësi dhe përmbytje të fuqishme.