I dërguari i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha të hënën në Beograd se çështja e energjisë dhe targave të makinave kërkojnë zgjidhje urgjente mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ai i bëri këto komente pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, disa ditë pas vizitës në Kosovë.
Zoti Lajçak shkroi në Twitter se në Beograd ka vazhduar diskutimin e hapur dhe serioz me presidentin e Serbisë në rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve. “Energjia dhe targat ishin kryesore në agjendën tonë pasi nevojiten urgjentisht zgjidhje”, shkroi ai.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç shkroi në rrjetet sociale se pati një bisedë serioze dhe të përgjegjshme ndërsa nënvizoi se Serbia do të vazhdojë të luftojë për të shpëtuar vendin dhe popullin, duke këmbëngulur në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura deri më tani dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar.
Vizitat e zotit Lajçak po ndodhin në një kohë kur diplomacia perëndimore është vënë në përpjekje për të nxitur përparim në bisedime. Muajin e kaluar kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron angazhuan këshilltarët e tyre të cilët qëndruan në rajon për të mbështetur bisedimet. Pas vizitës së tyre u tha se ka një nismë franko-gjermane për përmbylljen e bisedimeve Kosovë – Serbi, por nuk është propozim përfundimtar.