Manchester City mundi Sevillan 5-4 me penallti pasi barazoi në kohën e rregullt 1-1 në finalen e Superkupës UEFA. Për citizens kjo është hera e parë në histori që e fitojnë këtë trofe.
Nëntë gjuajtjet e para të penalltive u realizuan, e në vazhdim Nemanja Gudelj goditi traversën, duke i dhënë fitoren kampionëve në fuqi të Europës.
Fituesit e Ligës së Europës kaluan të parët në avantazh në minutën e 25 të lojës me anë të Jusef En-Nesiri. City barazoi me një goditje me kokë të 21-vjeçarit Cole Palmer në minutën e 63-të.
Nathan Ake pati një shans të mirë në shtesë për t’i dhënë trofeun kampionëve të Premier Ligës, por Jasin Bunu ishte i pakalueshëm. Për ekipin e Pep Guardiolës, ky është trofeu i parë sezonal. Trajneri tregoi emocionet për suksesin e arritur.
‘Shumë i kënaqur për klubin, pasi titullin që nuk e kishim, tashmë e kemi! Na mungon vetëm një, për të përfunduar rrethin e plotë, pra që ky klub të mund të fitojë të gjithë titujt që mund të kemi. E kjo mund të ndodhë në dhjetor, kur të shkojmë në Arabinë Saudite për të luajtur në Kupën e Botës për klube. Jam shumë i kënaqur! Ishte një lojë e luftuar, si në finalen e Champions ndaj Interit’, u shpreh Pep Guardiola.
Ndërsa tekniku i Sevillas, Jose Luis Mendilibar tha në përfundim të takimit, se ekipit i mungoi cilësia për të shënuar golin e dytë. Ai gjithashtu e pranoi se kishte gabuar që kishte nxjerrë nga loja Erik Lamelan, përpara gjuajtjes së penalltive.