Problemet fizike nuk penalizojnë Luiza Gegën. Atletja vijon të mos njoh limite, teksa regjistroi rekord të ri kombëtar në garën e 3 mijë metrave me pengesa. Në garën e mbajtur në Zyrih e vlefshme për ‘Diamond League’ Gega tejkaloi dëmtimin që pësoi tre javë më parë, duke shënuar kohën 9 minuta, 9 sekonda e 64 të qindtat, thuajse një sekondë më shpejt nga rekordi i mëparshëm që mbahej po prej saj me 9 minuta, 10 sekonda e 27-të të qindat.
Kohë që e pozicionoi në vendin e katërt në garën e 3 mijë metrave me pengesa, për të thyer kështu rekordin kombëtar të vendosur një vit më parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rezultat fantastik për Gegën, që pak ditë më parë në Kampionatin Botëror të Hungarisë e mbylli në vendin e tetë në botë, ndikuar edhe nga dëmtimi. Në vendin e parë në Zvicër u rendit keniania Mutile Winfreid, që përfaqëson Bahreinin, ndërsa pas saj dy kenianet Beatris Cepkoec dhe Faith Cerotic.