Presidenti amerikan Joe Biden ka mbërritur në Izrael ku pritet të zhvillojë takime me kryeministrin izraelit Netanyahu dhe bisedime me kabinetin izraelit të luftës. Një samit i planifikuar në Jordani me liderët arabë është anuluar pas bombardimit në një spital në Gaza.
Zyrtarët palestinezë fajësuan forcat ajrore izraelite por një pretendim të tillë Izraeli e mohoi kategorikisht duke drejtuar gishtin nga Xhihadi Islamik palestinez.
Biden do të duhet të balancojë mbështetjen e tij për Izraelin dhe shqetësimet për koston humanitare të luftimeve gjatë vizitës së tij të jashtëzakonshme në zonën e luftës. Presidenti amerikan do të përdorë të gjithë ndikimin që ka në dispozicion për të kufizuar gjakderdhjen dhe humbjen e jetëve dhe për të parandaluar një luftë të gjithanshme në Lindjen e Mesme.