Presidenti i SHBA-së Joe Biden ka përjashtuar mundësinë e dërgimit të avionëve luftarakë F-16 në Ukrainë, pavarësisht thirrjeve të përsëritura nga zyrtarët ukrainas për mbështetje urgjente ajrore.
I pyetur nga një gazetar nëse SHBA do t’i siguronte avionët, Biden thjesht u përgjigj “jo”. Komenti i tij vjen një ditë pasi udhëheqësi gjerman përjashtoi gjithashtu dërgimin e avionëve në Kiev.
Ukraina ka kohë që ka kërkuar nga aleatët e saj të dërgojnë avionë luftarakë të avancuar për të ndihmuar Kievin që të marrë kontrollin e hapësirës së saj ajrore në luftën e saj të vazhdueshme me Rusinë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe zyrtarët e lartë ushtarakë të vendit thonë se nuk duhet të ketë tabu për një ndihmë të tillë ushtarake, por SHBA dhe partnerët e saj kanë frikë se kjo do të çonte në përshkallëzim të mëtejshëm me një Rusi të armatosur me armë bërthamore.
F-16-të e prodhuar në SHBA do të ishin një përmirësim i rëndësishëm i avionëve luftarakë të epokës sovjetike, kryesisht MiG, që aktualisht përdor Ukraina, të cilët u bënë përpara se vendi të shpallte pavarësinë nga BRSS në 1991.
Megjithatë, Biden ka kundërshtuar në mënyrë të përsëritur lutjet e Ukrainës për avionët, duke u fokusuar në sigurimin e mbështetjes ushtarake në fusha të tjera.
SHBA njoftoi javën e kaluar se do të furnizonte Kievin me 31 tanke Abrams, duke përmbysur qëndrimin e saj të mëparshëm për këtë çështje. Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania gjithashtu premtuan mbështetje të ngjashme.
Zëvendësministri i Jashtëm ukrainas Andriy Melnyk e mirëpriti këtë ndihmë, por u kërkoi aleatëve krijimin e një “koalicioni avionësh luftarak” që do t’i siguronte Ukrainës gjithashtu avionë Eurofighters, Tornados, Rafales francezë dhe avionë suedez Gripen. Në një intervistë të dielën, kancelari gjerman tha se “dukej e pavlerë” të diskutohej për dërgimin e ndihmës tjetër ushtarake në Ukrainë, kur qeveria e tij sapo ishte zotuar të dërgonte tanke Leopard 2. Olaf Scholz gjithashtu përsëriti për gazetën gjermane Tagesspiegel se aleanca ushtarake e NATO-s nuk ishte në luftë me Rusinë dhe se ajo “nuk do të lejonte një përshkallëzim të tillë”.
Ndërkohë, presidenti francez Emmanuel Macon tha të hënën se “sipas përkufizimit, asgjë nuk përjashtohet”, duke iu referuar ndihmës ushtarake për Ukrainën, por ai theksoi se kjo nuk duhet as të ndezë më tej situatën dhe as të kufizojë aftësinë e Francës për të mbrojtur veten.