Liverpool kontaktoi me Xabi Alonso ku i ofroi postin e trajnerit për sezonin e ardhshëm në muajin nëntor. Bisedimet nisën menjëherë pasi tekniku i të kuqve Jurgen Klopp u komunikoi drejtuesve se kishte vendosur që të largohej nga detyra pas 8 vitesh e gjysme.
Pak javë më parë, gjermani me anë të një video-mesazhi u tha tifozëve se kishte vendosur që të largohej nga “Anfield Road”, pasi po i shteronin energjitë. Kjo deklaratë e tij solli mjaft befasi e trishtim në klubin anglez, që nisi nga puna për të gjetur zëvendësuesin e tij.
Sipas francezëve të “Foot Mercato”, te Liverpuli besojnë se do të bindin një nga figurat që ka qenë pjesë e historisë së skuadrës. Xabi Alonso ka mbajtur veshur fanellën e të kuqve në vitet 2004-2009 dhe ishte pjesë e ekipit që fitoi Ligën e Kampioneve në 2005.
Por në klub e dinë se nuk do të jetë e lehtë që të largojnë spanjollin nga Bayer Leverkusen, me ekipin që po zhvillon një sezon mjaft të mirë në Bundesligë. Pas 20 takimesh në kampionat, ekipi kryeson me 2 pikë më shumë se sa Mynihu, ndërsa ka fituar 16 prej tyre.