Liberalizimi i vizave për Kosovën që nga 1 janari i këtij viti është përcjellë me shqetësime, frikë e panik se kriza me mungesë punëtorësh do të përkeqësohet. Madje kanë filluar të jepen edhe shifra konkrete për largimin e punëtorëve.
Vetëm këtë vit thuhet se Kosova do të mbetet pa qindra mijë punëtorë.
“Në vitin 2024 do të mungojnë rreth 150 mijë punëtorë. Vetëm në mars të këtij viti pritet të ikin mbi 25 mijë persona”, thotë me shqetësim kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, duke lutur Zotin që këto shifra të mos jenë të sakta.
“Dashtë Zoti të dhënat tona të mos dalin të sakta, sepse ne mendojmë se vetëm vitin 2024 do të na mungojnë rreth 150 mijë punëtorë. Sipas një statistike ose disa të dhënave, vetëm një kompani e autobusëve shumë e madhe në Kosovë, deri në mars thotë se ka mbi 25 mijë persona të kontraktuar se do të ikin jashtë.
Megjithatë, jemi të bindur që jo të gjithë do të qëndrojnë jashtë, sepse do të këtë një numër të vogël se do të kthehen prapa”.
Azemi vlerëson se tanimë është vonë që shteti të reagojë në largimin e të rinjve nga vendi, sipas tij edhe po t’ua ofrojë pagë 1 mijë euro një punëtori që është paguar 300 euro, nuk do t’ia mbushë mendjen të qëndrojë këtu.
Që ky vit do të jetë sfidues për bizneset në lidhje me fuqinë punëtore e thonë edhe njohës të ekonomisë.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, ka thënë se ankesa më e madhe e ndërmarrjeve të sektorit privat lidhet me fuqinë punëtore në dispozicion.
“Ajo çfarë mund të themi është se ankesa e ndërmarrjeve të sektorit privat lidhen me disponueshmërinë e fuqisë punëtore.
D.m.th edhe në vitin 2023, por natyrisht një pjesë e këtyre shqetësimeve shkojnë përtej vitit 2023, edhe pashmangshëm me liberalizmin e vizave, rriten më tej, pra, si shqetësime nga droja se trendet e ikjes së popullsisë tashmë pas 1 janarit të vitit 2024 kur nuk ka më regjim të vizave për shtetasit e Kosovës, mund të rriten më tej, gjithnjë duke i pasur parasysh trendet e largimit të popullsisë gjatë viteve të kaluara, edhe atëherë kur kemi pasur realisht regjim të vizave”.
Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, ka thënë se ky sektor që nga koha e pandemisë është përballur me vështirësi.
Ai ka thënë se bizneset janë të shqetësuara për ikjen e punëtorëve, pas liberalizimit të vizave.
“Mendoj se bizneset kanë filluar vonë të marrin masa për ikjen e punëtorëve. Para një kohe kemi pasur një situatë ku kemi pas më shumë kërkues për punë, tani e shohim se ka një tendencë për të përmirësuar shërbimet ndaj punëtorëve, duke përfshirë edhe sigurimet shëndetësore.
Por mendoj se është vonë për të fituar besimin e punëtorëve”.
Bizneset e Kosovës duhet të rrisin pagat
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka kërkuar rritjen e pagave për punëtorët në sektorin privat.
Shahini vlerësoi se duhet të ketë trajtim dinjitoz për punëtorët.
“Nuk merren parasysh mendimet profesionale, nuk kanë sigurim shëndetësor, nuk kanë hapësirë intelektuale të ngulfatur nga presioni politik, nuk trajtohen, as paguhen si truri i një institucioni, por si punëtorë e shumë të injoruar”.
Shahini ka thënë se liberalizimi i vizave sjell shumë avantazhe, por edhe e largim të punëtorëve të zellshëm të Kosovës, siç i quajti ai “truri i Kosovës”.
“Ikja e trurit nga Kosova është problem kombëtar. Liberalizimi ka ndodhur dhe sjellë shumë avantazhe për qarkullimin e lirë të qytetarëve në BE-së, por ikja e trurit të Kosovës është problem kombëtar, e kjo ka ndodhur dje, sot dhe nesër do të vazhdojë. Ikën profesori, inxhinieri, mjeku, infermieri, ikën polici e ushtari, ikën punëtori e jo punëtori.
Sipas statistikave të AKB-së, në periudhën 2020-2023 kanë ikur rreth 10 mijë profesionistë”.
Për të luftuar trendin e ikjes së punëtorëve nga Kosova, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të përgatisë urgjentisht një plan për parandalimin e migrimit të të rinjve.
“T’i motivojë ata të rinj dhe të reja të fillojnë biznese, [duke nisur] prej një biznesi fillestar, biznes familjar dhe pse të mos zhvillohet biznes i madh në Kosovë, pasi rinia ka qenë gjithmonë një aset me të cilin Kosova gjithmonë është krenuar”.
Sipas Rafunës, bizneset kanë filluar të gjejnë mënyra për përmirësimin e kushteve të punës, duke ofruar rritje page e bonuse.
Ai ka thënë se dy sektorë vuajnë më shumë se të gjithë nga mungesa e punëtorëve.
“Më e theksuar është te sektori i ndërtimtarisë dhe ai i gastronomisë. Këta janë dy sektorët ku më së shumti vërehet mungesa e fuqisë punëtore gjatë viteve të fundit, por edhe tani, tendenca që është duke u ndier, dihet se këtu dominon fuqia që është më pak e kualifikuar dhe ata kanë tendencë që për një pagë më të mirë të lëvizin prej Kosovës”.