Polonia ka arritur të marrë fitoren e parë në Kupën e Botës, Katar 2022. Skuadra evropiane mundi me rezultatin 2-0 Arabinë Saudite.
Para ndeshjes së sotme kundër Arabisë Saudite, Polonia kishte fituar të gjitha 14 ndeshjet e Kupës së Botës në të cilat kishte hapur rezultatin. Një gjë të tillë e arriti edhe në këtë takim.
Dy skuadrat e Grupit C u përballën në stadiumin “Education City”, në një sfidë që fliste më shumë për sauditët, por polakët u treguan cinik në lojën e tyre.
Kjo pasi polakët realizuan gol me gjuajtjen e parë në portën kundërshtare.
Goli i parë i takimit u shënua nga mesfushori i Napoli-t, Piotr Zielinksi në minutën e 23-të të takimit.
Ai ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në 14 gola për klubin dhe kombëtaren së bashku në 2022-23, më saktë shtatë gola dhe shtatë asistime.
Ndërkohë, portieri polak Wojciech Szczesny priti 11 metërsh në minutën e 45-të, duke i hequr mundësinë, Salem Al-Dawsari të shënonte.
Në minutën e 82 të pjesës së dytë do të ishte radha e sulmuesit, Robert Lewandowski për të shënuar. Ai ishte me fat pasi mori një top “dhuratë” nga Abdulelah Al Malki në hryje të zonës së rreptësisë.
Ky ishte goli i parë historik i Lewandowski-t në një Kupë Bote, pasi kishte dështuar të realizonte në katër paraqitjet e mëparshme.