Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bën të ditur se ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme.
Moti parashikohet me alternime vranësirash si dhe intervale të herëpashershme kthjellimesh. Vranësirat do të pasohen me reshje shiu me intensitet të ulët që prej orëve të para të 24-orëshit fillimisht në veriperëndim dhe jug të vendit. Gradualisht reshjet shpërndahen në pothuajse të gjithë territorin me intensitet të ulët dhe lokalisht deri mesatar në formë shtrëngatash dhe stuhi afatshkurtra. Mjegull në orët e mëngjesit në zonat luginore.
Era do të fryjë me drejtim juglindje-jugperëndim me shpejtësi mesatare 2-9m/sek, ndërsa përgjatë vijës bregdetare era bëhët intensive dhe hera-herës shfaqet problematike me shpejtësi 11-16m/sek, shoqëruar me valëzimin në dete të forcës 2-4 ballë.