Astrit dhe Jasin Avdylaj, që ndodhen në masën e “arrestit të shtëpisë” për një nga fraksionet e dosjen “339” (laboratorin e Hasit), janë marrë në pyetje në lidhje me zhdukjen e Ervis Martinajt.
Marrja në pyetje është bërë me kërkesë të Prokurorisë së Kurbinit nga Policia e Lezhës, ndërsa agjentët kanë mbërritur në Durrës, ku edhe banojnë.
Në kuadër të kësaj kërkese është bërë edhe kontroll banese, ku nuk është konstatuar asnjë send i kundraligjshëm.
Martinaj dyshohet të ketë pasur një nga takimet e fundit para se të humbiste çdo gjurmë me kushërinjtë Avdylaj, ndërsa organi i akuzës dyshon se këta të fundit mund të kenë pasur dijeni mbi lëvizjet e tij.
Ervis Martinaj, i njohur si ‘mbreti’ i lojërave të fatit, është zhdukur prej më shumë se 2 muajsh.