U bë shumë zhurmë për kreun e ri të SPAK, por rezultoi shumë zhurmë për asgjë. Këtë të premte u zgjodh në krye të Prokurorisë së Posaçme një nga prokurorët më të mirë të sistemit të reformuar.
Procesi u parapri veçanërisht nga frika për ndërhyrje politike në përzgjedhje. Por procesi zgjodhi pikërisht atë, të cilit i trembej më shumë politika: Altin Dumani ka spikatur për shumëçka, por jo për varësi ngjyrash partiake.
Gjatë një mbledhje plenare maratonë që zgjati afro gjashtë orë të premten më 16 dhjetor 2022, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP zgjodhi prokurorin Altin Dumani si drejtues të ri të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
Votimi u krye pasi tre prokurorët kandidatë, Adnand Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili paraqitën platformat e tyre për mënyrën se si do të drejtonin SPAK, si dhe u intervistuan prej anëtarëve të këshillit.
Para se Këshilli i Lartë i Prokurorisë të votonte ambasadorja e SHBA u paraqit vetë në sallën ku bëhej mbledhja. Gjatë një prej pushimeve të mbledhjes plenare, ambasadorja Yuri Kim u shpreh para medieve se, për shkak të teorive konspirative që qarkullonin, donte të shpjegonte arsyen e mbërritjes aty.
“Nuk jamë këtu për t’i thënë askujt se për kë duhet të votojë ose për kë nuk duhet të votojë. Nuk ka asnjë mesazh të fshehur”, tha ajo.
Dumani u emërua si drejtues i SPAK për tre vitet e ardhshme me shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit të pranishëm.
Ai u votua nga anëtarët prokurorë Elojda Goxhi, Bujar Sheshi, Ledina Rizo e Zeqir Hoda dhe pedagogia Arta Mandro. Prokurori Edvin Kondili u rendit i dyti me votat e anëtarëve jo prokurorë, Nurihan Seiti, Mirela Bogdani, Alfred Balla dhe Tartar Bazaj – ndërsa Adnand Xholi mori votën e Sokol Stojanit.
Anëtarja prokurore Esmeralda Cami nuk ishte e pranishme në mbledhje.
Karrierë shpresëdhënëse
Prokurori që do drejtojë SPAK, ka lindur në Dibër. Ai njihet si prokurori që ka drejtuar i i pari njësinë Task Forcë, për të luftuar krimin e jakave të bardha (siç njihen ndryshe zyrtarët e nivelit të lartë).
Dumani e ka nisur karrierën në vitin 1999 në Sarandë dhe më pas ka qenë kreu i komanduar i prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda. Ai u bë drejtues prokurorie për herë të parë në Tropojë, në vitin 2000, një post që u refuzua nga shumë të tjerë për shkak të problematikave të atjeshme.
Ai bëri bujë me qëndrimin e akullt që mbajti gjatë gjykimit të 29 të pandehurve të Gërdecit dhe 3 dënimet e përjetshme që kërkoi për tre nga të pandehurit kryesorë të tragjedisë së 15 marsit 2008.
Së fundmi Dumani drejtoi operacionin “Golden Bullet”, “Plumbi i artë”, që solli arrestimin e dy vrasësve me pagesë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxha. Nga ky operacion u lëshuan 32 urdhërarreste, mes të cilëve emra të bujshëm të botës së krimit, si Ervis Martinaj, Talo Çela e Florenc Çapja.
Dumani udhëhoqi më herët operacionin që çoi në pranga gjyqtaren e Gjykatës së Krujes Enkeleda Hoxha që lironte të fortët nga qelia.
Kreu i ri i SPAK është një nga prokurorët e vetëm që la “pa fjalë” edhe të dërguarin (vëzhguesin) e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs, ditën që doli përpara Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
“Kam marrë pjesë në 25 çështje dhe kjo është hera e parë që s’kam asnjë pyetje”, u shpreh Jacobs.
KLP njoftoi se prokurori Altin Dumani do të prezantohet në rolin e drejtuesit në SPAK më datë 19 dhjetor, në orën 09:00.
Reagimet pas votimit
Pas përfundimit të votimit Ambasada Amerikane lëshoi një deklaratë që vlerësonte procesin. “Falënderojmë Këshillin e Lartë të Prokurorisë për një proces përzgjedhës, i cili pati qëllim të siguronte integritetin e procesit. Është thelbësore për institucionet e drejtësisë që të veprojnë me integritet, pa frikë apo favore”, thuhej në deklaratë.
Kryeministri Rama u shfaq po ashtu i dakordësuar me zgjedhjen. “Procesi i zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK foli vetë për të gjithë ata që duan të dëgjojnë dhe të gjitha thashethemet e katundit politik e mediatik për kapjen e SPAK-ut nga regjimi i mori era!”, shkroi Rama, pas votimit.
Në krahun tjetër pjesa e Partisë Demokratike e drejtuar nga deputeti non grata Sali Berisha, që pati paralajmëruar paraditen e të premtes fitoren e një kandidati tjetër, të zgjedhur sipas Berishës prej kryeministrit, e cilësoi garën sërish të ndotur dhe SPAK “një seksion të Partisë Socialiste”.
Ndërkohë Gazmend Bardhi, deputet i pjesës së Partisë Demokratike të ndarë nga Berisha, ishte më neutral në qëndrim. Ai bëri thirrje që SPAK të mbështetej për të qëndruar “jashtë kontrollit të politikës”, ndërsa theksoi se lufta kundër korrupsionit ishte e vetmja shpresë për shqiptarët.
Platformat
Mbledhja plenare e KLP-së të premten u transmetua në mënyrë të drejtpërdrejtë nga vetë Këshilli, si dhe u lejuan të ishin të pranishëm përfaqësuesit e mediave dhe vëzhguesit ndërkombëtarë.
KLP kishte njoftuar se kriteret bazë mbi të cilat u vlerësuan tre kandidatët e që kishin të bënin me aftësitë e spikatura në rolin drejtues; ato profesionale në cilësinë e prokurorit; aftësitë menaxheriale e organizative si dhe vizionin dhe objektivat e tyre nëse do të zgjidheshin.
Altin Dumani, i cili u përzgjodh drejtues, u shpreh se vlerësonte se çelësi suksesit ishte bashkëpunimi cilësor dhe institucional, integriteti profesional i çdo anëtari të SPAK dhe i institucionit në tërësi.
“Nuk e shoh SPAK si një vend pune, por si një mission”, pohoi Dumani dhe parashtroi punën e tij si prokuror dhe zëvendës drejtues i SPAK për tre vjet.
“Garancia e kandidimit tim është edhe bilanci i punës sime në SPAK. Ndonëse kam qenë zëvendësdrejtues kam marrë ngarkesa edhe në hetime, duke shqyrtuar 99 çështje penale”, pohoi Dumani dhe vërejti se kishte krijuar klimë bashkëpunimi si brenda institucionit, ashtu edhe me partnerët e huaj.
Prokurori Dumani u ndal edhe në aspektin organizativ. Ai theksoi se një nga hapat e parë që do të ndërmerrte nëse do të përzgjidhej si drejtues, ishte miratimi i një rregulloreje të brendshme për SPAK, që mungonte.
Dumani cilësoi të nevojshëm miratimin e një udhëzimi për standardizimin e shkresave, të një udhëzimi për renditjen e akteve në dosje; për mundësimin e shortimit transparent të dosjeve dhe shpërndarjen e drejtë të tyre. Sipas tij, e rëndësishme ishte që t’i nënshtroheshin analizës dosjet e mbartura.
Po ashtu, ai konsideroi të nevojshme krijimin e një fryme bashkëpunimi me Byronë Kombëtare të Hetimit, ndërmjet komunikimeve të përhershme, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit me vendet partnere.
Si një instrument të rëndësishëm për hetimin ai konsideroi bashkëpunimin me institucionet vendase për aksesimin e drejtpërdrejtë të regjistrave elektronikë, me qëllim shmangien e burokracive dhe të mundësisë së nxjerrjes së sekretit hetimor. Dumani garantoi se do të ishte transparent me publikun dhe median, por sipas tij, kjo nëpërmjet kanaleve zyrtare. Ai premtoi se një herë në muaj do të zhvillonte takime informale me gazetarët.
Dumani cilësoi të nevojshëm miratimin e një udhëzimi për standardizimin e shkresave, të një udhëzimi për renditjen e akteve në dosje; për mundësimin e shortimit transparent të dosjeve dhe shpërndarjen e drejtë të tyre. Sipas tij, e rëndësishme ishte që t’i nënshtroheshin analizës dosjet e mbartura.
Po ashtu, ai konsideroi të nevojshme krijimin e një fryme bashkëpunimi me Byronë Kombëtare të Hetimit, ndërmjet komunikimeve të përhershme, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit me vendet partnere.
Si një instrument të rëndësishëm për hetimin ai konsideroi bashkëpunimin me institucionet vendase për aksesimin e drejtpërdrejtë të regjistrave elektronikë, me qëllim shmangien e burokracive dhe të mundësisë së nxjerrjes së sekretit hetimor. Dumani garantoi se do të ishte transparent me publikun dhe median, por sipas tij, kjo nëpërmjet kanaleve zyrtare. Ai premtoi se një herë në muaj do të zhvillonte takime informale me gazetarët.
Konkurentët e Dumanit folën pak a shumë mbi të njëjtat vija.
Adnan Xholi, i cili parashtroi fillimisht karrierën e tij profesionale 24 vjeçare, premtoi se nëse do të zgjidhej do të insistonte që të vihej në eficencë policia gjyqësore, se do të ishte transparent në shpërndarjes e punës dhe se do të insistonte për krijimin e skuadrave të përbashkëta të hetimit.
Edvin Kondili u shpreh në fillim të fjalës së tij, se kishte kandiduar pasi kishte vlerësuar se plotësonte kriteret e nevojshme për drejtimin e SPAK. Ai shtoi se kishte hetuar me sukses edhe çështje në bashkëpunim me homologë të huaj.
Kondili shprehu vlerësime maksimale për kreun e parë të SPAK, prokurorin Arben Kraja dhe tha se do ta ruante praktikën e krijuar prej tij. Në vijim, Kondili theksoi se vizioni i tij konsistonte në pasjen e objektivave konkrete në aspektin administrativ dhe në atë të hetimit. (Gazeta Dita)