Eliminimi nga Liga e Kampioneve ka bërë që Tirana tashmë të fillojë përgatitjet për pjesëmarrjen në turin e dytë të Ligës së Konferencës, ku skuada bardheblu do të përballet me Zrinjski të Bosnjë Hercegovinës.
Një përballje e cila mund të krijojë paksa pështjellim në kryeqytet pas pak më shumë se një jave ku është planifikuar dueli i parë sipas shortit, pasi në të njëjtën ditë në kryeqytet në teori duhet të luhet edhe një tjetër ndeshje e këtij turneu.
Nëse Partizani kalon turin ndaj Saburtalo të Gjeorgjisë këtë të enjte, javën tjetër sipas shortit do të përballet me rumunët e Steaua Bukuresht në turin e dytë. Një ndeshje me një rival prestigjioz e cila padyshim do të kishte një shije tjetër në “Air Albania”.
Por cila mes dy skuadrave do të luajë në këtë impiant nëse ndodh një përplasje e tillë? Kjo mbetet për t’u mësuar në ditët në vijim, pasi me siguri asnjë prej tyre nuk do të dëshirojë të largohet nga kryeqyteti dhe zhvendoset drejt Elbasanit për ndeshjen e saj, pavarësisht kushteve të përshtatshme që ofron “Elbasan Arena”.
Një opsion tjetër për t’u shfrytëzuar impianti nga të dy ekipet është luajtja e një ndeshje në një nga ditët e rezervuara për Ligën e Kampioneve, të martën ose të mërkurën, por për ta bërë një gjë të tillë duhet miratimi nga UEFA. /panoramaplus