Kampionati francez është ndër më të prekurit nga Kupa e Kombeve të Afrikës. Shumë futbollistë të këtij kompeticioni po marrin pjesë në turneun që po mbahet në Bregun e Fildishtë. Diçka të tillë e konfirmon edhe përballja mes Marokut dhe Tanzanisë, e fituar nga “luanët e atlasit’ me shifrat e pastra 3-0.
Goli i dytë mban firmën e Ounahi, me mesfushorin e Marsejës që bëhet i teti futbollist i ndryshëm i cili aktivizohet në kampionatin francez që shënon me Marokun në këtë kompeticion. Një ecuri interesante, duke konfirmuar gjithnjë e më shumë se kjo kombëtare bazohet tek futbollistët që luajnë në Francë.
Rekord vendosi edhe En-Nesyri, që shënoi golin e tretë, për tu bërë i pari lojtar maroken që realizon në katër edicionet e Kupës së Kombeve të Afrikës. Sulmuesi i Sevijës shënoi golin e tij të parë në vitin 2017, në atë fitore që Maroku mori ndaj Togos në Gabon, teksa dy vite më pas festoi pas golit në portën e Bregut të Fildishtë.
Ky trend u ruajt edhe në 2021 ndaj Malawi për të vijuar tashmë edhe në edicionin aktual. Me golin kundër Tanzanisë, En-Nesyri shihet si heroi i Marokut në rrugën drejt titullit. ‘Luanët e atlasit’ synojnë për t’i dhënë fund një pritjeje 48-vjeçare për një trofe të dytë kontinental.