Qeveria portugeze muajin e ardhshëm do të miratojë një paketë masash me vlerë 900 milionë euro për të luftuar krizën e strehimit. Pjesë e paketës janë ndalimi i vizave të arta të cilat u jepnin rezidencë atyre që blinin prona në vend si dhe heqja e licencave të reja për akomodimet turistike, si Airbnb-s. Qiratë dhe çmimet e banesave janë rritur në mënyrë të frikshme në Portugali gjatë viteve të fundit.
Kryeministri Antonio Costa ka deklaruar se kriza tani po prek të gjitha familjet, jo vetëm më të rrezikuarit. Pagat e ulëta si dhe politikat që inkurajojnë të huajt e pasur për të investuar dhe një ekonomi e varur nga turizmi e kanë bërë për vite të tëra të vështirë për vendasit marrjen me qira ose blerjen e një prone. Norma e inflacionit prej 8.3% e Portugalisë e ka përkeqësuar problemin.
Nuk është e qartë se kur do të hyjnë në fuqi masat.